6 Mars, 2021 - 4:13 pm
Ylli i popit italian, 30-vjeçarja Elodie është kthyer në një nga senzacionet e muzikës në Itali.
Albumi i saj i tretë në studio, në vitin 2020 ishte një nga 25 albumet më të shitura të vitit në shtetin Italian, shkruan Quotidiano, transmeton KultPlus.
Elodie Di Patrizi, e njohur si Elodie, është një nga bashkë-prezantueset e producentit Amadeus në mbrëmjet e festivalit “Sanremo 2021”, në skenë në Teatrin ‘Ariston’.
Pasi i magjepsi të gjithë në edicionin e vitit 2020 (me këngën “Andromeda”, e cila është shkruar nga Mahmood dhe Dardust, u çertifikua me pllakatën platin), ylli romak i muzikës pop u rikthye sivjet në “Sanremo” si prezantuese.
Elodie është e lindur në vitin 1990, u rrit në Quartaccio, një nga rrethet më periferike të Romës. Ardhur në jetë nga një baba italian dhe një nënë franceze kreole (me origjinë nga Guadelupa), në moshën 20 vjeçe ajo u zhvendos në Lecce për të punuar në diskoteka si kubiste dhe vokale.
Jeta e Elodie s’ka qenë e lehtë. Prindërit e saj u ndanë kur ajo ishte tetë vjeçare. Të dy prindërit kishin probleme serioze me varësinë nga droga. “Unë shkoja në shtëpi dhe nuk kishte ujë të ngrohtë, nuk mund të studioja, u përpoqa të mbroja motrën time që është tre vjet më e vogël se unë. U përpoqa të mos e lija atë të kuptonte se sa gjëra të këqija ishin. Një situatë që më bëri nervoze, më shkaktoi një zemërim të madh, por që kurrë nuk më bëri të ndihem e mposhtur”, ka treguar këngëtarja italiane në një intervistë për Corriere della Sera.
Elodie tregoi se si të rriturit në një lagje periferike ku shitej drogë e alkool, filloi të tymoste në moshën 12-vjeçare, për t’u qetësuar nga problemet e asaj kohe.
“Ti ndihesh e ndyrë, kjo është e vërteta. Është një kontekst që rrezikon të të përfshijë. Ne nuk studiojmë, askush nuk bën asgjë, askush s’të pyet për notat. Prindërit e mi nuk shkuan kurrë për të biseduar me një profesor. Unë kam bërë vetëm 8 vite shkollë dhe më janë dashur vite për ta thënë: Më vinte turp, si të isha një hajdute”.
“Unë vij nga një lagje periferike në Romë. Një realitet i sinqertë, mizor, por edhe i jashtëzakonshëm. Aty ku ka njerëz, madje me të drejtë, të demoralizuar dhe të zemëruar. Dhe unë isha një prej tyre. Lagjja ime më ka dhënë shumë dhe më ka marrë shumë, dhe unë nuk jam duke folur vetëm për privime material si p.sh. të mos kesh ujë të ngrohtë, të mos kesh para ose të mos jesh në gjendje të paguash faturat. Por unë jam duke folur për forcën për të ëndërruar dhe guximin për të ëndërruar”, u shpreh Elodie gjatë prezantimit në natën e dytë në “Sanremo 2021”.
“Unë gjithmonë kam dashur ta bëj këtë punë që kur isha fëmijë, por më dukej një ëndërr shumë e madhe në krahasim me një fëmijë, kaq të vogël, si unë. Unë nuk ndihesha në lartësinë e duhur. Nuk më pëlqente zëri im. Dhe mbi të gjitha, kuptova që nuk kisha mjetet e duhura. Shumë herë nuk i kam dhënë një mundësi vetes: Nuk kam mbaruar shkollën e mesme, nuk kam marrë diplomë, nuk kam marrë një patentë, nuk kam studiuar për kanto. Kam gabuar, e di. Por është e vështirë në disa kontekste të jesh në gjendje të përqendrohesh në atë që dëshiron të bëhesh kur të rritesh: çfarë mund të bësh me veten tënde”, ka thënë ajo.
“I dashuri im në një këngë thotë, “ti na vjedh kohën që është e vetmja gjë që kemi”. Dhe unë e kuptoj këtë shumë mirë, sepse nëse keni lindur në kontekste të caktuara duhet të punoni shumë më shumë se të tjerët për të marrë atë që duhet të keni. Dhe kështu ju punoni më shumë për të mbijetuar dhe është e vështirë të përqendroheni në ëndrrën tuaj dhe të përqendroheni te vetja juaj”, vazhdoi rrëfimin artistja italiane.
“Jua them shumë sinqerisht: Në moshën 20-vjeçare kisha vendosur që për mua muzika kishte mbaruar dhe nuk do këndoja askund. Madje as në dush, edhe kjo më dukej shumë. Unë kisha vendosur të mos bëja asgjë më shumë. Por unë isha shumë me fat, sepse diçka shumë e bukur ndodhi në jetën time – pata një takim me shumë fat. Takova një muzikant, një pianist xhazi. Quhet Mauro Tre dhe sonte është me mua në skenë.
Unë doja të të falënderoja në një nga momentet më të rëndësishme. Nuk e di se çfarë do të ndodhë më tej në jetën time dhe doja të të falënderoja që më dhe një mundësi, të cilën nuk ia dhashë as unë vetes. Të gjithë meritojmë një moment të rëndësishëm në jetë. Dhe më bëre ta dua xhazin. Dhe padyshim që unë nuk ndihesha në lartësi as për xhazin, sepse ishte shumë elegant, shumë i lartë, shumë i rafinuar, por në fakt, xhazit nuk i interesonte nga vija. Sepse paragjykimi i përket qenieve njerëzore dhe unë isha e para që kisha një paragjykim për veten time. Prandaj të falënderoj nga zemra”.
“Ajo që Mauro më mësoi, jeta, muzika, është se nuk ke pse të jesh gjithmonë në lartësinë e duhur për diçka. Gjëja më e rëndësishme është t’i bësh ato, të kesh guximin të bësh gjëra dhe pastaj rregullohesh gjatë rrugës, mund të bësh shumë gjëra. Ndoshta nuk jam në lartësinë e kësaj skene, nuk jam në lartësinë e orkestrës, nuk jam në lartësinë e gjithë kësaj vëmendjeje. Por të jesh në lartësi nuk është më problemi im, sepse lartësia është një këndvështrim dhe jo problem”.
Në vitin 2009, Elodie mori pjesë në audicionet e ‘X Factor’. Suksesi erdhi pas vendit të dytë në edicionin e vitit 2015 të spektaklit “Amici di Maria De Filippi”, fitores së Çmimit të Kritikës ‘Vodafone’ dhe Çmimit RTL 102.5 – Amici alla radio.
Po atë vit ajo publikoi albumin e saj të parë ‘Another Life’, të prodhuar nga Emma Marrone dhe bëri një turne në Itali për ‘Emma’s Now Tour’. Në vitin 2017 ajo mori pjesë në “Sanremo” me këngën ‘All my fault’, duke u kualifikuar e teta, ndërsa në vitin 2018 ajo arriti majat e suksesit me ‘Nero Bali’ në bashkëpunim me Michele Bravi dhe Gué Pequeno.
Nga viti 2016 deri në vitin 2018 ai kishte një marrëdhënie me këngëtarin Lele, fitues i “Sanremo 2017” në kategorinë e artistëve të rinj, të takuar gjatë transmetimit të ‘Amici’.
Që nga viti 2019 ajo është fejuar me reperin e famshëm Marracash: të dy gjithashtu kënduan së bashku në këngën ‘Margarita’, një nga hitet e verës 2019.
Elodie ka deklaruar vazhdimisht se kishte një fëmijëri të vështirë, karakterizuar nga një ndarje e dhunshme midis prindërve të saj. Babai i saj ishte një artist rrugësh, nga ku edhe duket ta ketë trashëguar talentin për muzikë. /telegrafi/ KultPlus.com