4 Shtator, 2020 - 8:28 pm
Marrëdhëniet e virtuozit të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart me bashkëshorten nuk kanë kaluar pa vëmendje nga studjues dhe hulumtues të ndryshëm, kjo për vetë natyrën e përsosur të këtyre marrëdhënieve.
Mozart i u martua me të bijën e një kopisti të teatrit: Kjo vajzë quhej Kostanca dhe Mozarti u martua me të pas shumë kundërshtimesh. Çifti ishte i lumtur dhe Mozarti ishte një bashkëshort model.
Kur Kostanca ishte e sëmurë, i shoqi, para se të dilte nga shtëpia i shkruante nga një pusullë.
Në njërën prej tyre shkruhej:
“Mirdita e dashura gruaja ime. Shpresoj se do të kesh fjetur mirë. Nuk po të zgjoj shpejt se mos ftohesh. Mos u lodh dhe se mos u grind me personelin e shërbimit. Kujdes mos pengohesh në pragun e paradhomës. Mos i bëj të gjitha punët e shtëpisë derisa të vij edhe unë.”
Vitet dhe jeta bashkëshortore do të ndeshte në pengime dhe vështirësi të shumta. Tekat dhe romuzet e një gruaje të llastuar, e një gruaje që kërkonte të merrte për vete çdo shkëlqim të famës së burrit të saj, shpesh duke u bërë edhe objekt problematikash, u bënë për virtuozin e pentagramit, për këtë gjeni të muzkës, një barrë e rëndë.
Peripeci dhe precipitime të shumta pati në jetën e tyre. Ajo vetëm kërkonte, ai bënte të pamundurën që të përmbushte çdo dëshirë të saj, edhe pse jo gjithçka ishte në anën e tij. Kostanca u dashurua vërtetë me të riun e pasionuar, bashkëshortin ideal, Wolfgang Amadeus Mozart apo me privilegjet dhe përfitimet e gjenialitetit të tij?! Gjithçka që është thënë dhe shkruar, në një përpjekje për të ç’burgosur nga dilema këtë të vërtetë, është edhe sot mbuluar nën cohë të hollë dyshimi.
Ajo që ishte dhe mbeti e vërtetë, përputhshmëria e së cilës haset në çdo monografi, apo jetëshkrim është se Wolfgang Amadeus Mozart ishte jo vetë një nga gjenitë e muzikës por edhe një bashkëshort ideal, model i pamundur të jetësohet jashtë një shpirti të madh që gëloi në atë qënie të rrallë./albertvataj/ KultPlus.com