Historia prekëse e këngës “Për mu paska ken’ kismet” nga Palok Kurti

4 Qershor, 2022 - 4:30 pm

“Për mu paska ken’ kismet”, kjo këngë e vjetër shkodrane është shkruar në vitin 1880 nga i madhi Paloke Kurti, kompozitor, instrumentist i shumë veglave dhe drejtues i bandës së parë muzikore shqiptare.

Të gjithë e dinë këtë këngë, e të shumtë janë artistët të cilët e kanë kënduar ndër vite, por të paktë janë ata të cilët e dinë historinë prekëse të kësaj këngë.

Më poshtë Kultplus ju sjell një shkrim i cili e tregon këtë histori interesante, e të cilën e kanë rrëfyer ‘Vlashaj Band’:

Fillimi i 80- të shekullit të kaluar…. Palok Kurti , ndonëse mjaft i ri , ishte tashmë një nga muzikantët më të njohur të kohës . E merrnin edhe si mësues të pianos në shtëpi të ndryshme pasanikësh. Në një shtëpi të bukur dy kateshe , me mure të larta e me një lulishte të rrallë në të gjithë qytetin, jetonte një familje e pasur që kishte dhe një vajzë shumë të bukur. Paloka hynte e dilte në këtë shtëpi si mësues i pianos. Sa më shumë kalonin ditët dhe vajza përparonte në instrument , aq më i afërt bëhej ai për sytë dhe zemrën e saj. Edhe ajo për shpirtin e ndjeshëm të Palokës, me ndjenjën e padurimit për tu takuar prisnin me kënaqësi orët e mësimit. Diçka kishte lindur thellë në të gjithë qenien e tyre, sa e sa herë Paloka ishte bërë gadi t’ia shfaqte ndjenjat e veta. Por druhej , a do ta pranonte vallë familja e saj këtë mësues të thjeshtë. Megjithëse sytë e vajzës flisnin shumë dhe dukeshin mjaft të sinqertë në fisnikërinë e vështrimit të tyre, ai përsëri kishte frikë. Nuk donte ta prishte atë gjendje në dukje të qetë, por dëshironte t’i ruante ato ndjenja të pashprehura, nga frika se mos e humbiste vajzën e tij të dashur. Por kjo gjendje e turbullt dhe e papërcaktuar mbaroi një ditë.

Ndjenjat e pastra e të pashfaqura te të dy të rinjve nuk mbeten gjithnjë të fshehura. Nuk do të zhvilloni më mësim , i tha shërbyesja një ditë, kur ajo doli dhe hapi derën e madhe të shtëpisë, Paloka u shtang , nuk e priste kështu ndarjen me këtë shtëpi. Sa e sa herë kishte ëndërruar që kur të vinte ajo ditë dhe vajza t’i thoshte po e prindërit e saj të detyruar, do ta pranonin si dhëndër e atij t’i hapej dera me nderime e respekt. Por nuk qenka thënë kështu.

Me çiltërsi dhe pa e kuptuar shkakun, ndërhyri vrullshëm: -Po përse ?? e pyeti duke e shpuar me një shikim të rreptë e zhbirues. Shërbyesja për një çast nguroi, por duke e parë se ai nuk po ia ndante atë vështrim të syve të ndezur flakë .. i tha: – Kështu ka urdhërua zotëria, dhe e pa me keqardhje djaloshin. Paloka u skuq edhe më , desh të belbëzonte diçka por nuk mundi. Uli sytë dhe heshti. Nuk e mori vesh se kur por porsa u kthye dera u mbyll lehtë… Ishte e pa mundur ta takonte vajzën ditët e mëvonshme. Muret shumë të larta të shtëpisë të mbuluar me sharmashek , e pengonin krejt çdo ditë që kalonte e bënte të pa mundur takimin. Edhe pse shpresat po i shuheshin , dëshira për ta takuar nuk i venitej, përkundrazi. Sa herë i ishte shfaqur ajo para syve, ashtu e bukur dhe e ëmbël.

Edhe në ëndërr e kishte parë. Të paktën ti merrte vesh ndjenjat e tij e këtë mënyrë. E ndiente se ajo gjë i vlonte në shpirt, e kishte trazuar të terin dhe vetëm një çast pritej që të shpërthente. Por rruga drejt zemrave të tyre ishte ndërprerë. Shpresa, shpesh herë gënjeshtare e bënte gjithnjë e më të pa sigurt ardhjen e këtij çasti. Edhe të takimit me të. Edhe pse ky mendim e frikësonte, pikërisht kjo pasiguri e nxiste për më tej. I vendosur për ta ndjekur gjer në fund gjurmën e kësaj ndjenje të pastër, ai jetonte ditë të mbushura me pasionet e atij që dashuronte thellë dhe me vegimet e shpresave të pashuara.

-Do të shkojmë në një dasmë, i tha një ditë Palokës një nga shokët e tij të ahengut .. Martohet një i njohuri im. Do te shikosh do jetë një dasmë e rrallë, a po nuk është nusja, yll i vërtetë… Nuk ia prishi shokut të vet… Vështrimi i të gjithëve drejtohet nga një derë e hapur andej nga duket nusja. Palokës i bëjnë sytë ag. Turbullohet nga kjo e papritur. Ahengxhinjtë tjerë fillojnë të këndojnë këngën që lavdëron bukurinë e nuses. Të gjithë këndojnë përveç Palokës, është tepër i tronditur, nuk e mendonte kurrë se do t’i ndodhte kështu. Kjo e papritur e dëshpëruar e dërrmon, atmosfera i bëhet e rëndë dhe mbytëse, ndërsa vështrimi nervoz dhe disi i egër. Buzët i mbyllen fort, sikur donin të mbanin të mbërthyer brenda dhëmbëve të fshehtën e frikshme.. Nuk e kishte menduar kurrë se mund të kalohej kështu kaq shpejt nga gëzimi në dhembje. Dëshiron të ngrihet të dalë jashtë e të thërrasë me fuqinë e zërit për padrejtësitë e kësaj jete, por e përmban veten, e tremb ndonjë ngjarje e pahijshme, për herë të parë fillon të urrej moshën e tij të re.

Në atë gjendje të vështirë, në atë kaplim ndjenjash e ashk të jashtëzakonshëm, vendos të veproj ndryshe e ndien më të fortë se asnjëherë yshtjen e natyrshme të aftësisë së tij krijuese, zjarrin që e përvëlon në shpirt dhe ngjyrimin tragjik të kësaj të papriture që i rrit deri në skaj ngarkesën emocionale dhe shpërthen: Për mue paska kenë kismet me ken ti e tjera kujt mbasi të due ban merhamet edhe mue me duej.

Zëri po i dilte me zor nga fyti. Shokët e vet të ahengut e ndjeknin me vëmendje , por nuk kuptojnë pse shoku i tyre këndon ashtu, edhe pse në strofën e dytë ai i shfaq haptas ndjenjat dhe mendimet e veta, ata përsëri nuk marrin vesh asgjë: Sa të vegova më ra të lig humba e s’qeshë insan se e pashë mirë që s’mund të dal açik ty moj zonjë e randë.

Të pranishmit mbeten të habitur, e kanë dëgjuar edhe herë të tjera të këndojë, por jo kështu me trishtim. Zëri tashti i del thellë nga shpirti, ndërsa në fjalët dhe melodinë e këngës ndihet një dhembje e thellë. Mbasi i hedh një vështrim kuptimplotë nuses, një vështrim depërtues, të rreptë por edhe të dhimbshëm sikur do ti futej thellë në shpirt, duke kujtuar edhe një herë lojën me zjarrin, me guxim i drejtohet asaj: “Kah të shof sytë s’po mund t’i ndaj e gojet kurrë nuk të lëshoj por po m’erren mbushun me vaj ah si s’baroj…”.

Në vargun e fundit trishtimi i tij arrin kulmin.

Si është e mundur të shpërthejë njeriu kështu, duke kënduar e të shpreh ndjenja kaq të fuqishme? ah si s’mbaroj…. më shumë se këngë, më shumë se melodi, i del vajtim.

Askush nuk e kupton këtë gjendje , askush nuk merr vesh shkakun e vërtetë të këtij mallkimi. Vetëm nusja, sytë e saj të bukur prej kohësh kishin marrë një ndriçim tjetër në fillim si mospërfillës, më vonë kur kënga filloi të depërtojë thellë në zemrën e saj, sytë filluan ti ndrisnin me një shkëlqim te ri. E magjepsur , por edhe e ngacmuar nga kjo e papritur, filloi të skuqej në fytyrë, duke u bërë edhe më e bukur. Fjalët e këngës dhe djaloshi i njohur që po e këndonte e ndezën flakë po i përsëriteshin ndjenjat e pavenitura. Vetëm ata të dy po merreshin vesh në lojën e maskuar për të shfaqur ndjenjat e fshehura thellë në shpirtrat e tyre, papritmas ajo filloi të ndiejë veten të ligështuar, po dridhej. Ndërsa kur këngëtari shqiptoi …. AH SI S’BAROJ… i gjithë gjaku i iku nga fytyra dhe i ra të fikët. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=qvkqf0BaLnA

Të ngjajshme