10 Tetor, 2018 - 5:39 pm
Gili Hoxhaj
Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare ishin mbledhur shumë familjarë, bashkëpunëtorë e ish-studentë të Bahri Çelës për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Filarmonia e Kosovës së bashku me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës mbajti sot mbledhjen komemorative në kujtim të dirigjentit të parë të Kosovës, e atij që i vuri themelet Filharmonisë së Kosovës, shkruan kultPlus.
Dardan Selimaj i cili foli në emër të Filharmonisë së Kosovës u shpreh se Bahri Çela ishte një nga personalitetet e rralla të skenës kulturore në Kosovë dhe jo vetëm, pedagog dhe punëtor i përkushtuar dhe iniciator në themelimin dhe zhvillimin e institucioneve muzikore të Kosovës.
“Ai në provat e tij shquhej për punë ambicioze, me modesti dhe saktësi në transmetimin e kërkesave prej dirigjenti si dhe me disiplinë në organizimin e provave, kurse në paraqitjet para publikut në koncerte, profesori shquhej me qëndrimin autoritativ , pamjen atraktive në dirigjim dhe sidomos me elegancën e tij manuale që dëshmon qartë posedimin e një shkollë të mirë të dirigjimit, kështu e përshkruan me pak fjalë profesori e kompozitori Rafet Rudi në kujtimin e tij për Bahri Çelën”, lexoi ndër të tjera Selimaj.
Rektori Marjan Dema në fjalën e tij tha se ata që patën rastin ta njohin profesor Çelën e kujtojnë si një njeri me dije dhe me kulturë të jashtëzakonshme dhe që ishte i afërt me profesorët e kolegët e tij.
“Profesori Bahri dha kontribut të madh në fushën e artit dhe shkencës dhe janë pikërisht kujtimet dhe vlerësimi për të ato që e bëjnë të rënd këtë moment pikëllimi kur i themi lamtumirën. Vdekja e tij e lë një boshllëk jo lehtë të zëvendësueshëm për familjen, kolegët, miqtë e në veçanti për studentët që patën fatin ta kenë profesor”, tha Dema në fjalën e tij.
Pas tij fjalën e mori profesoresha Valbona Pula- Petrovci e cila tha se Çela e filloi, e vazhdoi dhe e përfundoi gjithë karrierën e tij si dirigjent me një entuziazëm vullnet e disiplinë të pashoq e cila gjatë do të mbetet në kujtesën e bashkëpunëtorëve dhe studentëve të tij.
“Na zuri në befasi dhe na pikëlloi pa masë ikja në amshim e profesorit e njeriut që bëri aq shumë për artin e bukur të muzikës. Unë e kisha profesor e më pastaj koleg, bashkëpunëtor e mik të mirë. Ishte dirigjenti i parë muzikor tek ne dhe, nëse një herë synohet të shkruhet historia e vërtet, e plotë e muzikës orkestrale këtu në Kosovë, ajo nuk bën të shkruhet pa emrin e Bahri Çelës. Ai kishte një stil të veçantë të punës ku dominonte organizimi i mirë i korit të shkollës dhe mbi të gjitha disiplinë ekzemplare, pikërisht rezultat i kësaj pune ishte stolisja me vend të parë si kori më i mirë në ish- Jugosllavi”, u shpreh Pula- Petrovci.
Pas fjalimeve në skenë u ngjit mbesa e profesorit Bahri Çela për të interpretuar në tinguj e pianos e më pas Kori i Filharmonisë së Kosovës, që interpretoi veprën “Nënë” të Kushtrim Gashit dhe “Një lule” të Rexho Mulliqit, nën dirigjimin e Rafet Rudit.
Bahri Çela vdiq në Londër në mëngjesin e 30 shtatorit, pasi vuajti për disa muaj një sëmundje të pashërueshme të organeve të frymëmarrjes.
Bahri Çela u lind më 1941. Pas mbarimit të shkollës fillore e të mesme të muzikës në Prizren, studioi në Akademinë e Muzikës, dega e dirigjimit, në Beograd, ndërsa specializoi në Konservatorin e Shën Petersburgut në Rusi. Pas studimeve u punësua në Radio Prishtinë si producent i muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Një kohë punoi si pedagog – udhëheqës i korit në Shkollën e mesme të Muzikës në Prishtinë.
Nga viti 1978 zgjidhet ligjërues në Fakultetin e Arteve-Dega e muzikës për lëndët Dirigjim dhe Orkestër. Çela ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë.
Për nevojat e produksionit muzikor të RTP-së ai incizoi një varg veprash – para së gjithash të autorëve shqiptarë si: R.Mulliqi, V.Gjini, E.Rizvanolli, R.Dhomi, A.Koci, B.Shehu, Ç.Zadeja, F.Ibrahimi etj. Me Orkestrën Simfonike të RTP-së mori pjesë rregullisht në Festivalin “Ditët e Muzikës në Budvë”, pastaj në Shqipëri dhe Kosovë.
Me këtë orkestër përcolli solistët e njohur si: J.Kolungjija (violinë), E.Musa (kitarë), V.Kajtazi (flaut), V.Pula (piano), H.Lekaj (mexosoprano), A.Merdakoviq (kornë) etj.
Me suprimimin e institucioneve legjitime kosovare nga ana e regjimit serb, në kushte jashtëzakonisht të vështira të viteve ‘90-të, së bashku me studentët dhe pjesërisht me ish-anëtarët e Korit Profesional dhe atyre të Orkestrës Simfonike të RTP-së, B.Çela përgatiti koncerte të ndryshme që u mbajtën në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.
Një nga koncertet iu kushtua edhe nobelistes shqiptare – Nënës Terezë.
Pas luftës në Kosovë, ai punoi me vetiniciativë në riaktivizimin (rithemelimin) e orkestrës, por kësaj radhe asaj të Filarmonisë së Kosovës si institucion i pavarur profesional muzikor.
Vitet e fundit të jetës i kaloi në Londër (Britani e Madhe), ku u nda nga jeta në moshën 77 vjeçare./ KultPlus.com