6 Tetor, 2023 - 10:51 am
Stina koncertore “Incontri Musicali Mediterranei” ka mbërritur këtë vit në edicionin e nëntë dhe organizohet në Crotone (Kalabri) pranë muzeut të dedikuar Pitagores, themeluesit të ligjeve të muzikës dhe matematikës, përcjell KultPlus.
Prej vitesh kjo stinë koncertore është bërë ndër më të rëndësishmet në jugun e Italisë dhe ka paraqitur artistë të rëndësishëm në mbi 150 koncerte.
Më datën 30 shtator, Sihana dhe Zana Badivuku u paraqitën me një program të gjerë që bashkonte disa vepra virtuozistike të Kreisler dhe Saint Saens, së bashku me veprat e kompozitorëve kosovarë/shqiptarë Drinor Zymberi, Kreshnik Aliçkaj, Valton Beqiri, Rafet Rudi e Lodi Luka.
Pikërisht këto vepra u mirëpritën me shumë duartrokitje nga publiku italian. Shumë spektatorë në sallë shprehen me fjalë entuziaste mbi origjinalitetin, larminë dhe gjallërinë e veprave të autorëve kosovarë/shqiptarë.
Motrat Badivuku morën shumë duartrokitje për lojën e tyre pasionante dhe njëkohësisht të rafinuar në detaje. Gjithashtu, pati disa muzikantë të rinj që iu drejtuan pas koncertit Sihana dhe Zana Badivukut për të kërkuar këshilla dhe për t’i shprehur entuziazmin e tyre për koncertin.
Më datën 1 tetor, Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi luajtën Sinfoninë koncertante të Mozartit për violinë, viole dhe orkestër me orkestrën në rezidencë të festivalit të drejtuar nga mjeshtri i njohur Piero Romano, drejtor artistik i orkestrës Magna Grecia të Tarantos. Ekzekutimi u dallua për finesën me të cilën solistët dhe orkestra realizuan stilin moxartian.
Një energji e veçantë bashkonte në mënyrën më spontane lojën e solistëve me atë të orkestrave italiane. Publiku e priti me entuziazëm të veçantë këtë ekzekutim të veprës duke e konsideruar koncertin si një ndër më të veçantët e organizuar pranë muzeut të Pitagores.
Bashkëpunime të tilla ndërkombëtare forcojnë lidhjet mes muzikantëve midis vendeve të ndryshme dhe i shërbejnë përhapjes dhe vlerësimit të muzikës kosovare/shqiptare në botë. / KultPlus.com