Inovacioni teknologjik dhe muzika bashkohen: një partneritet ndërmjet Sunny Hill Foundation dhe Soundwaves Art

26 Dhjetor, 2024 - 5:30 pm

Valët zanore të vizuelizuara nga këngët e Dua Lipës janë vënë në shitje për të ndihmuar fondacionin ‘Sunny Hill’ që në fokus ka të rinjtë e talentuar në muzikë, art e kulturë.

Ylli botëror i muzikës pop, Dua Lipa, në bashkëpunim me fondacionin ‘Soundwaves Art’, ka publikuar një projekt të veçantë për fansat dhe artdashësit kudo: vepra arti të krijuara nga valët zanore nga regjistrimi i hiteve të saj.

Fondacioni ‘Soundwaves Art’ që nga themelimi i tij ka realizuar bashkëpunime me artistë botëror më në zë si: Peter Gabriel, The Killers, Robert Smith (the Cure), Metallica, Pink, Billie Eilish, Tame Impala, James Blake, Liam Gallagher, etj.

Dua personalisht ka nënshkruar secilën prej këtyre veprave ekskluzive pak para performancës së saj në Austin City Limits më 12 tetor 2024. Ky koleksion u ofron fansave mundësinë që të kenë një pjesë unike të historisë muzikore duke kontribuar njëkohësisht për kauza të rëndësishme.

Ky publikim pasqyron jo vetëm suksesin e vazhdueshëm të Dua Lipës si artiste, por edhe përkushtimin e saj për të ndihmuar të rinjtë kosovarë. Fansat që blejnë artin e Dua Lipës, do ta kenë një pjesë të trashëgimisë së artistes së tyre të preferuar, por njëkohesisht do të kontribuojnë për një të ardhme me shumë mundësi për të rinjtë e talentuar në muzikë, art e kulturë.

Si gjithmonë, arti i Dua Lipës shkon përtej muzikës—ai frymëzon ndryshim.

Të gjitha të ardhurat nga ky projekt do të shkojnë drejtpërdrejtë për Fondacionin Sunny Hill, organizatë e themeluar nga familja Lipa në Prishtinë.

Me synim që të fuqizojë komunitetin dhe të shpalosë potencialin e madh të Kosovës, Fondacioni Sunny Hill fokusohet në projekte të rëndësishme në edukim, art, muzikë dhe nisma të udhëhequra nga vullnetarët. Duke promovuar kreativitetin, Fondacioni Sunny Hill tashmë ka dëshmuar që është forcë transformuese në Kosovë dhe më gjerë.

Gjatë këtij viti, fondacioni Sunny Hill dërgoi 11 të rinj në kampin e shkollës prestigjioze suedeze “Musikmakarna” në Suedi, mbështeti Siparantum Choir në fitoren e tyre botërore në Seoul (Korea e Jugut) si dhe ndau 30 bursa për vajza të reja studiuese në fushat e STEM, bashkë me kauza të tjera të rëndësishme sociale në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme