Instituti Albanologjik mbanë Tryezë Shkencore për Qamilin e Vogël: Figura më e rëndësishme e muzikës tradicionale

27 Shtator, 2023 - 5:39 pm

Vjollca Duraku

Sfidat jetësore, talenti i lindur, pasioni dhe vetëdija e lartë për regjistrimin e gjithë krijimtarisë së tij, janë shkaqet kryesore që e bënë këngëtarin Qamili i Vogël figurën më të rëndësishme të muzikës tradicionale në vend, konluzion ky, i cili erdh nga një tryezë shkencore “Gjurmët e Qamilit të vogël në muzikë”, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, që është mbajtur në ambientet e Institutit Albanologjik, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë tryezë shkencore qenë bashkëpunëtorë, familjarë, adhurues dhe studiues të muzikës së këngëtarit Qamili i Vogël, nga ku u treguan detaje të jetës, e cila karakterizohej me sfida dhe suksese të shumta.

Fjalën hapëse të kësaj ngjarje e bëri Arbnora Dushi, e cila tha se Qamaili i Vogël përpos që njihej për zërin e tij të mrekullueshëm ai ishte edhe një krijues i pashoq, autorësia e të cilit kishte tre forma, ai autor këngësh origjinale, autor i melodisë dhe si autor i tekstit.

“Vlerat e muziktarit Qamil Muhaxhiri ose Qamili i Vogël siq u njoh nga të gjithë, janë të njohura nga të gjithë shqiptarët. Përveç si këngëtar, me zërin e tij të mrekullueshëm, Qamilin e Vogël e njohim edhe si krijues, respektivisht edhe si autor këngësh, ku autorësia e tij na del në tri forma: si autor këngësh origjinale me tekst dhe melodi të krijuar nga vetë ai, si autor i melodisë, dhe si autor i tekstit.”

Ajo, gjithashtu tha se një element dallues nga bashkëkohanikët e tij, që e bën Qamilin e Vogël të jetë i veçantë në llojin e tij është edhe vetëdija e tij e lartë për regjistrimin dhe incizimin  e gjithë krijimtarisë së tij, dhe nxjerrja në pah të shumë talentëve të tjerë të rinjë gjithandej Kosovës.

“E veçanta e tij për këngën që krijoi ishte gjithashtu se ai u kujdes shumë që këngët e tij të regjistrohen, të incizohen por edhe të botohen në  vëllime të shkruara. Një vetëdije e tillë nuk është parë te krijuesit e tjerë të kohës së tij.  Me një repertuar shumë të pasur dikur rreth 88 këngë sipas Demir Krasniqit, krahas meritave për të punuar me të tjerët dhe për të zhvilluar këngëtarë të rinj. Qamili i Vogël përbënte një vlerë të veçantë të muzikës popullore shqiptare. Trashëgimia që na ka lënë pas e dokumentuar me zë dhe me tekst krahas edhe kujtimeve të atyre që e kanë njohur është lëndë shumë e vlefshme në trajtimet muzikologjike dhe folkloristike”, ka thënë Dushi.

Rjedha e ngjarjes vazhdoi me paraqitjen e një dokumentari në të cilin paraqitej jeta e muzicientit Qamili i Vogël që nga lindja deri në vdekje.

Pas dokumentarit, Behar Arllati me punimin e tij “Fatkeqësinë individuale dhe kolektive si shtysë e elegjive perla muzikore të Qamilit të Vogël” ka paraqitur atë se si sfidat e këngëtarit në fjalë e të cilat nuk qenë të pakta duke filluar nga vdekja e prindërve në moshë të hershme, varfëria, si dhe vdekja e gruas së tij në një mënyrë jo të zakonshme (nga rrahja e babait dhe vëllait të saj pas martesës së pa miratuar me Qamilin e Vogël) dhe fatkeqësitë e ndryshme kolektive kishin ndikuar në krijimin e perlave muzikore të tij, të papërsëritshme.

“Qamili i Vogël të paktën përmes dy këngëve “Kënga e Tërmetit të Shkupit” dhe “Kënga e Tërmetit të Dibrës” shpreh dhimbjen e madhe kolektive.”

“Në jetën e Qamilit të vogël kanë dominuar gjendjet jo të mira shpirtërore të ndikuara nga faktorë të jashtëm apo të brendshëm: duke qenë jetim, dhe në një familje jo të pasur, gjithë rininë e tij e dominojnë këto skena të varfërisë, të vuajtjeve që zgjat deri më 1948 kur martohet dhe kjo gjendje vazhdon deri pas martesës 1952 kur kupton se më nuk mund të jetojë në Gjakovë sepse ka vetëm kujtime të vështira, të rënda dhe të tmerrshme nga ku kalon edhe me banim në Prishtinë. Për 12 vite 1940-1952 pothuajse Qamili i Vogël e kishte kaluar fazën e parë të krijimtarisë, dhe në këtë fazë krijon perlat më të fuqishme muzikore”, ka thënë Behar Arllati, si rezultat i punimit të tij hulumtues.

Ndërsa Bekim Ramadani, profesor në Universitietin e Tetovës, tha se humbja e njerëzve të dashur, keqardhja për rininë, dashuria e paplotësuar, ishin ishin tema që e frymëzonin pashtershëm shpirtin e tij prej artisti për të krijuar pandalshëm margaritarë të vërtetë, ku një prej tyre ishte edhe kënga “O, kadaldal’ o po vjen pleçnija”.

“Qamili i vogël ishte një nga krijuesit dhe interpretuesit më të njohur të muzikës popullore shqiptare. Gjatë jetës së tij krijoi rreth 90 këngë të cilat u bënë pjesë e rëndësishme e pasurisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. Kalueshmëria e jetës, humbja e njerëzve të dashur, keqardhja për rininë, dashuria e paplotësuar, ishin tema që e frymëzonin pashtershëm shpirtin e tij prej artisti për të krijuar pandalshëm margaritarë të vërtetë. Një prej tyre është edhe kënga “O, kadaldal’ o po vjen pleqnija”, ku është bërë një përqasje e mrekullueshme e temës së plakjes dhe pleqërisë. Me kalimin e kohës kjo këngë u këndua e u regjistrua nga shumë artistë të cilët i bënë nder jo vetëm autorit të këngës, duke e freskuar dhe përjetësuar veprën e tij por edhe dëgjuesve, duke u rikujtuar atyre se, të jesh i moshuar është një detyrë po aq e bukur dhe e nevojshme  sa të jesh i ri”, ka thënë Ramadani.

Kurse, Albin Sadiku, nga instituti Albanologjik, i cili kishte bërë analizë melo-ritmike të këngës “Pa Trashëgim paskem kenë”( kushtuar fatit tragjik të vdekjes së bashkëshortes së tij) tha se talenti i lindur i Qamilit të Vogël, kishte arritur të krijoj tërësi muzikore të cilat janë të ngjajshme me ato të kompozitorëve të njohur botëror si Bach, Bethoven dhe Moxart.

“Gjatë23 viteve kam pasur fatin të analizojmë dhjetëra e qindra vepra të muzikore të kompozitorëve botëror, Bah, Moxart, Bethoven dhe ajo çka më bëri përshtypje te këto këngë kur fillova t’i analizoj ishte fakti që Qamili i Vogël nuk ka pasur shkollë të muzikës, ndërsa ka krijuar këto këngë në atë mënyrë që të lë përshtypje se ai njeri ka studiuar muzikën, sepse tërësitë që i krijon brenda këngëve të tij përputhen shumë me ato që i kanë kompozuar kompozitorët botëror si p.sh. Bahu. Ka krijuar tërësi muzikore si Bach, Moxarti, sikur i ka studiuar ata”, ka thënë ndër të tjera Sadiku.

Ndërsa Krenar Doli, nga dega e Folklorit  në sektorin e Etnomuzikologjisë në Institutin Albanologjik, ka bërë prezantimin e një punë të krijimit të 11 blejëve me rreth 400 këngë të ndryshme tradicinale nga të gjitha trevat.

“Veprimtaria e bujshme në mbledhjen e folklorit tonë burimor por edhe ajo krijuese  e Qamil Muhaxhirit na shtyu që si Degë e Folklorit, konkretisht si konkretisht si Sektor i etnomuzikologjisë të ndërmarrim hapat e nevojshëm në organizimin e kësaj tryeze për vetë faktin se Qamili i Vogël ishte njëri nga bashkëpunëtorët e jashtëm në mbledhjen e folklorit tonë pranë kësaj dege, krahas studiuesve të rregullt të Degës së Folklorit si prof.dr. Rexhep Munishi dhe prof. Bahtir Sheholli në atë kohë.

Gjithashtu më duhet të theksoj se organizimi i kësaj tryeze me karakter shkencor ishte edhe njëri nga amanetet e ish-sekretarit juridik, tashmë të ndjerë, z. Sylë Kasumajt”, ka thënë Doli.

Doli po ashtu tha se ky material i ofruar që përfshinë 400 këngë tradicionale, në tërësi është një kontribut i çmuar për folkorin shqiptar në përgjithësi.

“Si përfundim mund të themi që i gjithë ky material i ofruar në këta 11 blejtë me afro 400 këngë tradicionale shqiptare në tërësi mbetet një kontribut i çmuar për folklorin tonë shqiptar në përgjithësi. Ai është dhe do të mbetet një dokument i rëndësishëm për gjurmimin e gjithë atyre njoftimeve të vyera rreth kulturës muzikore tradicionale të kënduara me afsh, me dëshirë e përkushtim, dhe për vrojtimet rreth gjenezës trajtave, morfologjisë dhe këngëve tradicionale në përgjithësi”, ka paraqitur Doli.

Sipas konkluzioneve nga këto 11 blejtë e tij motivi i dashurisë është më i pranishmi dhe paraqet qasje dhe llojllojshmëri të madhe në trajnimin e dashurisë si ndjenjë.

Botimi i teksteve në blejtë përfshinë: Bylbyli në Çabrat  (19 këngë), Me sharkinë e Ymer Rizës (50 këngë), Tre Hasjanë (35 këngë), Lulet e Beharit(50 këngë), Flaka e Zemrës( 30 këngë), Këndojnë bylbylat(35 këngë), Fyelli i bariut (35 këngë), Lule gjaku(34 këngë), vlët e Kohës (33 këngë), Këngët krenare (32 këngë), Lulkuqe të dashurisë(35 këngë).

Kjo ngjarje përfundoi me një diskutim të lirë nga të pranishmit, ku u çmua kontributi i madh i këngëtarit Qamili i Vogël/KultPlus.com

Të ngjajshme