11 Korrik, 2021 - 2:30 pm
Dirigjenti Marco Bossi dhe Orkestra e Harqeve të Universitetit të Arteve të Tiranës e drejtuar prej tij ishin mbrëmjen e kaluar protagonistët e mbrëmjes së tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Durrës, përcjellë KultPlus.
Ky është edicioni i 16-të i Festivalit që organizohet në qytetin bregdetar nga violinistja Nevila Kalaja Herczegh dhe shoqata “Arti dhe kultura italiane-shqiptare”.
Dirigjenti 30-vjeçar drejtoi me mjaft kompetencë tre vepra të autorëve të njohur në literaturën muzikore, duke shfrytëzuar edhe përvojën e krijuar me orkestra të vendit fqinj në Milano, Potenza e Lecce, por edhe në Athinë, Beograd e Ceki.
Serenata për harqe opus 22 nga Antonin Dvorak (1841 – 1904) tingëlloi mjaft mirë falë sendërgjisë së dirigjentit Marco Bossi dhe instrumentistëve edhe më të rinj në moshë, ndërsa spektatorët e shumtë në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Durrësit duartrokitën lojën e artistëve.
Pesë pjesët e përzgjedhura nga krijimtaria e Dmitri Shostakovich (1906 – 1975) dhe përshtatur për orkestër nga Ylli Ramzoti erdhën me mjaft mjeshtëri e muzikalitet nga instrumentistët Nevila Kalaja Herczegh (violinë) dhe Arben Llozi (violë), përfaqësues të shkollave muzikore të Durrësit dhe Tiranës.
Koncerti për flaut dhe orkestër harqesh mbylli mbrëmjen e tretë të Festivalit në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Bashkatdhetarët italianë Matteo de Francesco (flaut) dhe dirigjenti Marco Bossi me orkestrën e Universitetit krijuan një atmosferë të veçantë, duke marrë edhe përgëzimet e publikut të pranishëm.
Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës përfundon më 24 korrik dhe në sallën e muzeut arkeologjik kombëtar janë programuar edhe pesë koncerte të tjerë me instrumentistë vendas dhe të huaj. / KultPlus.com