19 Korrik, 2019 - 11:30 pm
Sopranoja Inva Mula dhe violinisti Florian Vlashi do të interpretojnë në festivalet respektive, që ata organizojnë këto ditë në Korçë dhe Durrës.
Dy artistët e njohur shqiptarë, të cilët pjesën më të madhe të veprimtarisë e kanë në Francë dhe në Spanjë, do të jenë protagonistë me koncertet e tyre në Bienalen e Muzikës Klasike Durrës dhe në Festivalin MIK në Korçë.
Jo vetëm kolegë, por edhe miq, Mula dhe Vlashi, që të dy bij artistësh mjaft të njohur, kanë shprehur prej kohësh edhe konsideratat e tyre më të mira për aktivitetet artistike në Durrës dhe Korçë.
“Bravo Florian, të jam shumë mirënjohëse për çka bën ti dhe familja jote për artin dhe mbi të gjitha për vendin, i cili ka shumë nevojë për energjinë dhe talentin tënd”, shkruan Inva Mula për Bienalen që ka startuar në vitin 2003, duke uruar “që ky festival të ketë jetëgjatësinë dhe dhe të shndërrohet në pikë referimi për të gjithë artdashësit dhe artistët kudo qofshin”.
Florian Vlashi ndjehet i nderuar që sopranoja do të hapë edicionin e radhës së Bienales më 1 gusht. Ai shkruan se “Inva është një rast unik në artin shqiptar, sepse rrallë, shumë rrallë takon njerëz që kanë brenda vetes në një përmasë të habitshme talentin, kulturën, mirësinë, inteligjencën, shqiptarizmën, personalitetin, elegancën, rezistencën, bukurinë”.
Sipas instrumentistit durrsak, “Inva është një diamant i mirëfilltë dhe, si të gjithë sistemet kristaline ka shumë faqe, të cilat janë në një harmoni të përkryer me njëra-tjetrën. Dhe kur aty hyn pak dritë, ajo shndërrohet në një magji”.
Florian Vlashi do të ngjitet në skenën e teatrit “A Z Çajupi” të Korçës më 25 korrik i shoqëruar nga pianistja Fjorda Veizaj dhe do të interpretojë Sonatën “Espanola” nga Joaquin Turina, si dhe “Valle spanjolle” nga Enrique Granados. Mbrëmja e dytë e Festivalit MIK që organizohet nga Inva Mula i dedikohet muzikës spanjolle dhe Floriani së bashku me artistet Etleva Shemai dhe Juliana Laskaj do të vijojë interpretimin në Pazarin e vjetër të qytetit me Flamenco “Bordoneo”.
Soprano e mirënjohur Inva Mula, e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi dhe grupin instrumental “Shekulli i XX” një javë më vonë do të jenë në Durrës për të çelur edicionin e nëntë të Bienales me pjesë nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi, Pietro Mascagni dhe Alfredo Catalani.
Bienale NMK këtë vit i dedikohet binomit “Muzika dhe vena” – tha Florian Vlashi, duke shtuar se koncertet do të organizohen nga 1-7 gusht në hotel “Adriatiku”.