Inva Mula kujton për datëlindje nënën e saj, Nina Mulën

23 Nëntor, 2018 - 3:46 pm

“Në çdo çast të jetës sime ti je prezent por sot është një ditë e veçantë ,ditëlindja jote ku të gjithë ne do dëshironim të kishim pranë për fjalën tënde të ëmbël, për këshillat e tua te çmuara , për çdo gjë të bukur që ti transmetoje me qenien tënde sublime”.

Me këto fjalë poshtë fotos ku vezullon portreti i artë i një gruaje jo më shumë se 30 vjeç, ku sytë e kaltër i flasin aq shumë, Inva Mula kujton në ditën e lindjes të ëmën, sopranon e njohur Nina Mula. Në foto është Nina në rininë e saj, me tiparet e bukura të një gruaje plot hire. E lindur më 23 nëntor të vitit 1931 në Izhevsk në Rusi, pas studimeve në Konservatorin P.I.Tchaikovsky në Moskë ku u njoh me studentin shqiptar Avni Mula, ajo do të udhëtonte drejt Shqipërisë që u bë atdheu i saj i dytë.

Në Tiranë ajo do të vinte në vitin 1957 dhe shumë shpejt do të emërohej soliste pranë TKOB-it në Tiranë, deri në vitin 1976. Prej vitit 1965 punoi si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve, duke kaluar nëpër duar emrat më në zë të operistikes shqiptare. Gjatë aktivitetit të saj në TOB ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë dhe nga literaturë botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, si në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni etj.

Disa nga rolet janë ai i Rosinës në operën “Il Barbiere di Seviglia”, 1958, Norina në operën “Don Pasquale”, 1959, Drita në operën “Pranvera”, 1960, Tatjana në operën “Eugenji Onjegin”, 1961 Olimbia, opera “Lulja e Kujtimit”, 1961, Susana, opera “Le nozze di Figaro”, 1962, Michaela, opera “Carmen”, 1962, Leila tek “Peshkatarët e Perlave”, 1964, Violeta tek “La Traviata”, 1964 dhe 1972, Neda tek “Pagliacci”, 1964, Borëbardha në operën “Borëbardha” 1964, Gilda tek verdiania “Rigoletto” 1964, Mrika në operën “Mrika”, Mimi në operën “La Boheme” 1971, Donika tek “Skënderbeu”, 1968 etj.

Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të II, titullin “Artiste e merituar”, titullin “Mjeshtër i madh i punës”. Nina Mula do të kujtohet gjithmonë për kontributin e saj në operan shqiptare. / KultPlus.com

Të ngjajshme