Inva Mula sjellë Festivalin “MIK”, me muzikë synon të kthejë vëmendjen nga Pazari i Vjetër në Korçë

30 Qershor, 2018 - 2:00 pm

Festivali “Muzika Internacionale në Korçë”, do të zhvillohet nga 25 deri më 29 korrik, në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus.

Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga Inva Mula me miqtë e saj në Korçë, një mbrëmje poezie dhe serenatash, në Pazarin e Vjetër, të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim të përfshirjes së tij në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit.

MIK Festival do të zgjasë 5 ditë të plota me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën, historinë e këtij qyteti që është djep të qytetërimit.

“Qyteti i Korçës është një qytet, i cili ka dimensionin artistik, audiencën, arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e një festivali kaq ambicioz”, thonë organizatorët.

Koncepti i festivalit është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Festival do të bëjë së bashku artistët lirikë të rinj e të afirmuar të skenës për t’i dhuruar publikut një emocion të rrallë e të papërshkrueshëm.

Emra të mëdhenj të muzikës lirike do të performojnë në qytetin e Korçës për gjatë 5 ditëve, ndërsa do të bëhen të ditur së shpejti.

“Janë pikërisht ata artistë që kanë ngritur lartë emrin e Shqipërisë në botë, dhe tani do të jenë në Korçë, për t’i dhuruar kënaqësinë dhe emocionet e artit të tyre publikut shqiptar dhe atij të rajonit”, thuhet në njoftim të festivalit.

MIK Festival, është festivali i parë që bën bashkë rreth 150 artistë të zhanreve të ndryshme për të performuar si asnjëherë më parë në këto 5 ditë të festivalit./ KultPlus.com

Të ngjajshme