29 Shtator, 2019 - 10:53 pm
“Mikja ime fëmijëri” kënduar nga Isea Çili u shpall fituese e Junior Fest Albania 2019. Kompozitor i këngës është Saimir Çili dhe poezia e Jorgo Papingjit.
Festivali u mbajt të dielën në mbrëmje në Amfiteatrin e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Dashamirësit e muzikës për fëmijë ndoqën 18 krijime të interpretuesve nga 9-14 vjeç. Ata erdhën nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe jashtë saj.
Isea Çili me këngën “Mikja ime fëmijeri” do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin europian “Junior Eurovision Song Contest”, i cili këtë vit do të zhvillohet në Gliwice të Polonisë. Kjo është hera e gjashtë që Shqipëria merr pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar muzikor për fëmijë.
RTSH do ta transmetojë Junior Fest Albania 2019 të mërkurën në orë 20.35. /KultPlus.com