‘J’adore Chopin’, konkursi i parë pianistik ndërkombëtar në Tiranë

26 Shkurt, 2025 - 10:20 pm

“J’adore Chopin” do të jetë konkursi i parë pianistik rinor ndërkombëtar që do të zhvillohet në Tiranë.

Ky konkurs zhvillohet me rastin e ditëlindjes së 215-të të kompozitorit të madh polak, Frederik Shopen. Mbi 150 të rinj nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës do të jenë pjesë e konkursit që synon të nxjerrë në pah aftësitë e pianistëve të rinj. Ky konkurs ndërkombëtar organizohet në 30-vjetorin e shoqatës “Frederik Shopen”.

Ideatorët e konkursit, mes të cilëve edhe profesor Zhani Ciko, janë shprehur se konkursi “J’adore Chopin” do të promovojë talentet shqiptare dhe t’i ballafaqojë ata me talentet e huaj në interpretime të nivelit më të lartë të mundshëm.

Konkursi ndërkombëtar “J’adore Chopin” do të zhvillohet në disa faza, ku secili pjesëmarrës do të ketë mundësinë të interpretojë veprat më të njohura të Shopenit.

Konkursi do të zhvillohet nga data 1-6 mars në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme