6 Shkurt, 2020 - 4:58 pm
Performanca e fundit e Ermonela Jahos, e cila ka zënë vend në sallën prestigjioze të Londrës ‘’Wigmore Hall’’, ka bërë bujë të madhe nëpër botë, duke marrë kështu vëmendjen e medieve më prestigjioze ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Koncert ky i cili u realizua të hënën, iu dedikua sopranos italiane Rosina Storchio (1872-1945), e cila njihej si yll i premierave botëore të Puccinit e Giordanios. Me këtë koncert u shënua edhe 50-bjetori i kompanisë ‘Opera Rara’.
Performanca e Jahos u shoqërua nga pianisti Steven Maughan, ku ajo interpretoi një kombinim të këngëve italiane dhe franceze me arie operistike të cilat Rosina Storchio i kishte performuar më parë.
‘’Aftësia e jashtëzakonshme e sopranos shqiptare për të hyrë në mendjen e një personazhi e bëri këtë recitim një rast shumë të veçantë’’, thuhej në The Guardian.
Ndërsa gazeta britanike ‘’The Independent’’, shkruante se si Ermonela një shqiptae fama e së cilës erdhi ngadalë por kur erdhi kishte tronditur botën e artit duke ngjallur lot e emocione tek publiku.
‘Pak këngëtare të tjera kanë aftësinë e saj për të përqendruar tërë fokusin e një skene dhe të detyrojnë vëmendjen tonë për çdo nuancë të shprehjes së saj’’, thuhej ndër të tjera në The Independent. / KultPlus.com