11 Shtator, 2019 - 11:31 pm
Këngëtari i njohur britanik është tërhequr për pak kohë nga skena, por tani po e bën një rikthim të madh me paralajmërimin e studio albumit të tij të gjashtë “Once Upon a Mind”. James Blunt ka premtuar se albumi i shumëpritur do të jetë më i sinqerti në karrierën e tij deri më tani, ndërsa e paralajmëroi atë me baladën emocionale “Cold”, e cila tani u prezantua me një videoklip interesant.
Momenti déjà vu i cili shfaqet duke e shikuar klipin e ri të regjisorit Calum Macdiarmid buron nga fakti se videoja e re e pasqyron tekstualisht historinë e mirënjohur të hitit të njohur muzikor dhe këngës së parë debutuese të Blunt, “You’re Beautiful”, të publikuar në vitin 2004. Pesëmbëdhjetë vjet pas këtij kërcimi të guximshëm, tashmë James Blunti më i pjekur dhe më i zgjuar ndodhet në të njëjtin bregdet, me të njëjtën veshje dhe fillon ndërmarrje të reja dramatike të ngjitjes në shkëmb pa kaskader, për nder të videoklipit të famshëm me shumë detaje të fshehura që do të njihen nga të gjithë fansat e tij besnikë.
“Shumë kohë më parë u hodha nga një shkëmb. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë kemi ardhur në një kapitull të ri”, u tall James Blunt në stilin e tij.
Singli paralajmërues sipas Blunt është metaforë për gjithçka që këngëtari e ka përjetuar në jetën e tij. Në të njëjtin ton do të jenë edhe këngë të tjera në album, të cilat do të dalin më 25 tetor nga Atlantic Records. Në albumin e ri, James Blunt ka bashkëpunuar me producentë të shumtë, duke përfshirë Steve Robson, Jimmy Hogarth dhe ekipin e TMS, të cilët njëmbëdhjetë këngë klasike dashurie i sollën me një freski të re.
“Secila këngë në albumin e ri paraqet diçka që po e kaloj aktualisht ose e kam përjetuar kohët e fundit. Këto janë çështje shumë personale dhe jam krenar që mund t’i ndaj me audiencën”, shtoi Blunt.
Ai do t’i prezantojë këngët e reja në turneun evropian ndërsa datat e sakta të koncerteve mund t’i gjeni në uebfaqen zyrtare: https://www.jamesblunt.com/
Albumi debutues i James Blunt “Back To Bedlam” është një nga klasikët e muzikës, siç dëshmohet edhe nga fakti se albumi e ka arritur një edicion të dhjetëfishtë platini në Britani të Madhe. Albumi u publikua në vitin 2004, ndërsa pasi që vitin [pasues singli “You’re Beautiful” e pushtoi botën, këngëtari britanik u bë një nga interpretuesit më të kërkuar dhe brenda një kohe të shkurtër i shiti mbi 23 milionë albume. James Blunt ka shërbyer si ushtar i Britanisë së Madhe dhe edhe në Kosovë, ku para disa kohësh në një emision në radio kishte thënë se e kishte parandaluar luftën e tretë botërore pasi kishte refuzuar një urdhër nga një gjeneral amerikan për të sulmuar forcat ruse që ishin futur në Aeroportin e Prishtinës. /KultPlus.com