22 Nëntor, 2017 - 1:00 pm
Janë gjetur në Gjermani gjërat personale të John Lennon të cilat besohet se i janë vjedhur 11 vite më parë bashkëshortes së tij, Yoko Ono. Në mesin e këtyre gjërave është gjetur edhe ditari i tij personal dhe syzet me kornizë të veçantë, përcjellë KultPlus.
Policia në Berlin ka arrestuar të hënën një burrë i cili është akuzuar për vjedhjen e 100 gjërave që përkisnin këngëtarit të famshëm Lennon, në mesin e këtyre gjërave është i përfshirë edhe një ditar në të cilin Lennon kishte shkruar deri në ditën kur u qëllua dhe u vra në New York më 8 dhjetor 1980, sipas Associated Press.
Të dhënat e vjedhura përfshijnë ditarë, letra, kartolina, foto, e syze të Lennon. Sipas botimit gjerman Spiegel Online, shtëpia e ankandit kishte pranuar këto gjëra me dërgesë, por nuk i ka shitur ato, sepse nuk ishte e bindur se ato ishin fituar ligjërisht.
Prokurorët dhe oficerët e policisë më pas kishin shkuar në qytetin e Nju Jorkut për të verifikuar autenticitetin e gjërave nga e veja e Lennon, Yoko Ono.
“Ajo ndihej shumë e emocionuar dhe ne e pamë rëndësinë që kanë këto gjëra për të dhe se sa e lumtur do të ishte që ato t’i ktheheshin përsëri”, ka thënë prokurorja Susann Wettley./ KultPlus.com