4 Qershor, 2024 - 9:35 pm
Albania International Guitar Festival e hapi mbrëmë siparin e edicionit të tetë, duke vijuar me aktivitete të shumta përgjatë gjithë muajit.
Festivali u hap me artistin italian, Roberto Tascini, koncerti i të cilit u zhvillua në Liceun Artistik, salla “Tonin Harapi”, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri. Prej më shumë se 20 vjetësh ai interpreton si solist, solist me orkestër dhe në ansambël (EONGuitarQuartet, DuoPorto), në më shumë se 300 koncerte në 20 vende të ndryshme.
Diplomuar në Universitetin e Bolonjës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, si dhe në kitarë dhe arsim muzikor, Tascini në vitin 2005 u bë “Mjeshtër i Artit” në kitarë, duke arritur shkëlqyeshëm “Konzertdiplom” në Musikhochschule në Luzern-Zvicër. Aktualisht është profesor i kitarës në Konservatorin G.Rossini në Pesaro-Itali.
Do të jenë gjithsej tetë artistë ndërkombëtarë nga Italia, Austria, Gjermania, Spanja dhe Holanda të cilët do të zhvillojnë koncerte në Tiranë, Berat, Rubik e Shkodër. Masterclass-e, workshop-e dhe aktivitete të tjera do të organizohen nga artistët e ftuar./atsh/ KultPlus.com