22 Qershor, 2023 - 5:13 pm
Aktivitetet e Javës Kulturore Franceze vazhdojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Mbrëmë në kryeqytet u organizuan tre evente njëri pas tjetrit, të tre kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Muzikës.
Tirana u kthye në një arenë muzikore me evente në Parkun “Rinia”, në sallën e Katedralen Ortodokse dhe në Hemingway Club.
Në amfiteatrin e Parkut Rinia qytetarët e pranishëm kanë ndjekur grupin e fëmijëve Xhuli Dance & Music.
Tre kore që përfshinin persona me vështirësi në shikim: Joy of Singing (Shqiperia), Vue d’Ensemble (Franca) dhe Karditsa Conservatory (Greqia) performuan shoqëruar nga Beti dhe Sigi Bastri.
Ndërsa në sallën e Katedrales Ortodokse pati një tjetër performancë korale ku edhe aty u përfshinë persona me vështirësi në shikim.
Lokacioni i tretë i Festës së Muzikës ishte në mbrëmje në Hemingway Club, ku performuan Niki Zaimi Band dhe Rione Junno Trio, me muzikë tarantela dhe pizzica, tradicionale të rajonit të Puglia-s, në Itali, të cilat sollën alegri në këtë zonë të qytetit. Qëllimi kryesor i Festës së Muzikës, iniciuar nga Franca, është përhapja e haresë duke nxjerrë muzikantët në sheshe e lagje për të performuar falas./atsh/KultPlus.com