Java Kulturore Holandeze: mbrëmje me muzikë jazz tek ekspozita e workshop-e kushtuar lirisë së medias dhe shprehjes

7 Shtator, 2024 - 7:00 pm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja ka publikuar detaje nga eventet që do të mbahen për nisjen e Javës Kulturore Holandeze në vendin tonë që do të zhvillohet nga data 7 deri më 11 shtator.

Sipas tij, Holanda e njohur për kulturën e saj të lëvizjes me biçikletë, tulipanët, kinematografinë e pasur, inovacionin dhe dizajnin si dhe artin që sfidon kohën dhe një sërë traditash të tjera, do të zër vend në Javën Kulturore Holandaze që nis në vendin tonë.

“Përgatituni të përjetoni magjinë e kulturës holandeze gjatë Javës Kulturore Holandeze nga 7-11 Shtator! Një vend i njohur për tulipanët, kinematografinë e pasur, inovacionin dhe dizajnin si dhe artin që sfidon kohën, Holanda është një thesar i vërtetë kulturor. Për të gjithë ata që nuk e kanë vizituar ndonjëherë, tani keni mundësinë të prekni një copëz të saj këtu, në Shqipëri”, shkroi ministri në rrjete sociale.

Gonxhja tha se, java do të sjellë aktivitete të shumta të shtrira në qytetin e Tiranës, Korçës dhe Shkodrës. Nga ekspozita imersive e Van Gogh që ju zhyt në botën e ngjyrave dhe penelatave të tij, shfaqje filmash dhe sesione Q&A me regjisorë, workshop-e kreative, ekspozita të ndryshme, një panair dhe një festival jazz që do t’ju mbajnë të frymëzuar gjatë gjithë javës.

Sipas kalendarit të aktiviteteve, rrugëtimi i këtij eventi nis nga kjo e shtunë, deri më datë 11 Shtator, ku aktivitetet e shumta të menduara për këtë javë do të shtrihen nga Tirana në Shkodër e Korçë.

Në galerinë e Artit Dixhital Korçë nga datat 8 deri më 11 Shtator do të hapet për publikun një ekspozitë e veçantë dhe gjithëpërfshirëse që pasqyron jetën dhe veprën gjeniale të Vincent van Gogh. Përmes projeksioneve, tingujve evokues dhe skenave reale nga veprat e tij, do të përjetoni artin e tij në një mënyrë të papërshkrueshme.

Kurse në Tiranë, nga data 8 deri më 22 Shtator, do të mbahet tek sheshi “Skënderbe” ekspozita “Ëorld Press Photo 2022”, përkushtuar lirisë së medias dhe të shprehjes. Ekspozita paraqet fotoreportazhet dhe fotografitë dokumentare më të mira dhe më të rëndësishme nga konkursi i 67-të i “World Press Photo”.

Në bashkëpunim me Institutin e Medias Shqiptare, do të organizohet edhe një workshop mbi karikaturat politike për studentët, dizajnerët e rinj dhe artistët. Ky event do të udhëhiqet nga Tjeerd Royaards, një karikaturist holandez i njohur dhe i nderuar ndërkombëtarisht, me një karrierë që përfshin botimin e punës së tij në media prestigjioze si The Washington Post, The New York Times, BBC, CNN, The Guardian, Le Monde, France 24, dhe Politico Europe. Një mundësi e shkëlqyer për të mësuar teknikat dhe strategjitë e përdorura në këtë ar, workshop-i është i hapur për të gjithë.

Mes eventeve të shumta, nuk mund të mungonte një seminar veçantë njëditor mbi ndërtimin e një infrastrukture të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për biçikletat. E për të mbajtur këtë aktivitet, pa dyshim që nuk mund të zgjidhej një qytet tjetër përveç se Shkodrës, e njohur po ashtu për përdorimin në masë të biçikletave.

Ngjarja përmbyllëse e javës kulturore holandeze do të ofrojë një performancë të veçantë nga grupi jazz holandez Roaring Cats në The Cloud, Tiranë. Ky koncert është pjesë e edicionit të tretë të Festivalit Gjon Mili Jazz & Blues, i cili ndriçon trashëgiminë e Gjon Mili dhe kulturën jazz shqiptare. Performanca e Roaring Cats do të sjellë një bashkëpunim të veçantë mes kulturës jazz holandeze dhe asaj shqiptare, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për audiencën shqiptare për të eksploruar trashëgiminë muzikore holandeze dhe për të ndjerë energjinë e jazzit ndërkombëtar në një mjedis unik.

Java Kulturore Holandeze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare janë platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri eventesh, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore./ KultPlus.com

Të ngjajshme