5 Mars, 2019 - 2:29 pm
Gili Hoxhaj
Një traditë disa vjeçare mbledhë së bashku njerëzit të cilët e duan kulturën dhe gjuhën franceze. Kjo traditë e cila njihet si “Javët e Frankofonisë” këtë vit do i bëjë së bashku frankofonët gjatë muajit mars. Javët e këtij muaji do të frymojnë frëngjisht, duke filluar nga sonte, shkruan KultPlus.
“Javët e Frankofonisë” organizohen nga ambasadat dhe përfaqësuesit diplomatikë të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Zvicrës, anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Aleancën Franceze të Prishtinës së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.
Aktivitetet frankofone, krahas Prishtinës do të udhëtojnë edhe në qytet të tjera të Kosovës si në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Vushtrri. Në konferencën e cila u mbajt sot për të shënuar edhe hapjen e këtij organizimi, Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert i falënderoji të gjithë bashkëpunëtorët që kanë mbështetur “Javët e Frankofonisë”. “Të bashkuar drejt Frankofonisë” është fjalia kyçe me të cilën nis fjalën e tij ambasadori Chabert.
“Jemi krenarë të ju prezantojmë një program të pasur që ka të bëjë me gjuhën franceze dhe kulturën frankofone në përgjithësi. Meqenëse Kosova është bërë anëtare e asocuar e Frankofonisë dhe si shtet i pavarur duhet të jetë shtet anëtar i hapësirës frankofone”, tha në fjalën e tij Chabert. Ai tutje tregoi se programi do të përfshijë edhe poezi të cilat lidhen me temën e bukurisë. Krahas kësaj, ai tregoi se programi do të përfshijë edhe diskutime me shkrimtarë vendorë dhe të vendeve frankofone, si dhe do të hapet edhe një ekspozitë franceze e cila vjen si bashkëpunim mes Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Shkupit. Ai theksoi se një fokus në kuadër të këtyre javëve do ta ketë edhe lidhja mes gastronomisë kosovare dhe asaj franceze.
Jean-Hubert Lebet, ambasador i Zvicrës në Kosovë, u shpreh i lumtur që ndodhet këtu për ta mësuar muajin e marsin si muaji i Frankofonisë me Kosovën si anëtare e asocuar e Organizatës Ndërkombëtar të Frankofonisë.
“Në peizazhin e marrëdhënieve ndërkombëtare është kënaqësi që Kosova është pjesëmarrëse”, u shpreh ai.
“Javët e Frankofonisë” shquhen nga një shumëllojshmëri ngjarjesh: koncerte, shfaqje filmash, aktivitete gastronomike, konferenca, aktivitete për të rinj. Drejtori gjeneral i Ministrisë së Punëve të Jashtëm, Albert Prenkaj tha se kosovarët kanë borxh ndaj gjeneratave paraprake dhe gjeneratave të reja që të mbrojnë dhe promovojnë frankofonin dhe të mos harrojnë lidhjen që Kosova ka krijuar me vendet frankofone përmes qarqeve letrare e akademike.
“Çfarë e bën këtë ngjarje edhe më të veçantë nga viti i kaluar është se Kosova tani mirëpret javët e Frankofonisë si anëtare e asocuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe si anëtare vëzhguese në Kuvendin Parlamentar të Frankofonisë. Në Kosovë gjuha frënge dhe kultura frankofone gëzojnë një adhurim nga shoqëria si gjuhë e elitës, gjuhë e artit dhe e filmit dhe kjo duhet të shfrytëzohet për të nxitur të rinjtë të mësojnë gjuhën frënge”, tha në fjalën e tij Albert Prenkaj.
Nga Ministria e Kulturës, fjalën e mori zëvendësministrja e MKRS-së Burbuqe Bakija-Deva e cila tha se programi i Javëve të Frankofonisë është bindës që të gjithë qytetarët e të gjitha kategorive t’i përcjellin aktivitetet.
“Ky program është shumë i pasur dhe këtë e them se nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën por bashkëpunimi i Ambasadës franceze me institucionet tona për programet e gjuhës franceze ka sjell një sukses shumë të madh pasi që shumë zyrtar janë duke u përgatitur që gjuhën franceze ta zotërojnë që të bashkëpunojnë me zyrtarë nga vendet frankofone”, tha Bakija Deva, duke thënë se javët e frankofonisë nuk kanë të bëjnë vetëm me gjuhën franceze por edhe me kulturën franceze që është e njohur si një kulturë e nivelit të lart që ngërthen në vete artin, pikturën, filmin dhe gastronominë.
“Javët e Frankofonisë” do të fillojë nesër në ora 20:00 me koncertin e këngëtarit kosovar Shpat Deda, dhe performancë nga Elsa Hyseni. Ky koncert do të mbahet në Teatrin “ODA” ndërsa Javët e Frankofonisë do të vazhdojnë me aktivitete deri në përfundim të këtij muaji./ KultPlus.com