16 Mars, 2019 - 11:00 pm
Rock grupi Jericho së shpejti do të publikojë këngën e tyre më të re që mban titullin “Ëndërr e prerë”.
Ata kanë njoftuar për këngën e tyre të re që bazohet në poezinë e poetit të njohur Dritëro Agolli në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
“Ëndërr e prerë” me titull nga poezia e Dritero Agollit është kënga e radhës e Jerichos-s, videoklipin e së cilës e realizuam në bashkëpunim me aktorin nga Prizreni, Xhevdet Doda, i cili me lojën e tij i dha kuptim këtij projekti”.
Në njoftimin e Jerichos thuhet se kjo këngë ishte emocionalisht puna më e rëndë që e kanë bërë ndonjëherë.
Madje djemtë e grupit kanë shprehur edhe zhgënjimin dhe dhimbjen e tyre për të ardhmen e Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Është hera e parë që ndjehemi totalisht të pashpresë për të ardhmen e vendit tonë. Është i pabesueshëm dhe i trishtë rrugëtimi jonë prej 1999 deri në 2019, prej “This is my home” përplot jetë e ëndrra në “Ëndërr e prerë”. Atë çfarë as armiqtë tanë nuk munden ta thyejnë, “shpresën për ditë më të mirë’, e thyen dhe shkatërruan akterët politikë shqiptarë të të gjitha partive PA DALLIM, në bashkëpunim me oligarkët e bizneseve duke mosrespektuar as më të paktën e dinjitetit njerëzor, të natyrës, ajrit e ujit e ambientit që na rrethon, në të cilën frymojmë dhe jetojmë!”.
Jericho që njihet për këngët që shprehin rebelimin për gjendjen aktuale në vend ka thotënë se thelbin e këngës së tyre më të re e përshkruajnë më së miri katër vargjet e fundit të poezisë “Ëndërr e prerë” të Dritëro Agollit.
“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë
Është turp kaq shpejtë të rrish e të vdesësh
Ne ëndërronim nje vdekje më të mirë
Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”.
Muzika e Jerichos është përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare.
Përveç instrumenteve standarde të rockut, ata përdorin edhe instrumente orientale të muzikës tradicionale shqiptare, si tupani, kavalli dhe zurna.
Tekstet e këngëve të tyre në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë.
Të gjitha këngët e Jerichos trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit.
Një nga këngët e para si dhe ajo që i mundësoi Jerichos të ketë një publik rreth vetes është ”Don’t f*** with Albanians”.
Grupi “Jericho” njihet për këngët si “Shkaba”, “Nëntor i ftohtë”, ”Zgjohu”, ”Tomlin e nonës”, ”Kur do t’pushojë kjo kangë”, ”Albanian Rhapsody” dhe shumë të tjera.