1 Mars, 2018 - 4:30 pm
Sonte në Rockuzinë do të kthehet për herë të tretë për një performacë plotë energji grupi i njohur kosovar Jericho.
Jericho është një rock grup i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova, në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet për muzikën dhe tekstet e tyre mjaft të veçanta.
Muzika e Jerichos është përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare e cila është karakteristikë e regjionit te Kosovës dhe Shqipërisë veriore. Përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.
Tekstet e këngëve në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë, i cili flitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë veriore, ku, shpesh përdoret edhe në poemat epike shqiptare. Të gjitha këngët e Jerichos, trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit. Një nga këngët e para si dhe ajo që i mundësoi Jerichos të ndërtoj një publik rreth vetes është ”Don’t f*** with Albanians”. Këngët e Jericho-s janë të njohura kryesisht në mesin e të rinjve shqiptarë që jetojnë në Ballkan, por janë transmetuar edhe në stacionet e ndryshme të pavarura dhe Radio alternative në të gjithë vendet ish-jugosllave.
Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, ky grup, publikoi këngën ”Nëntor i ftohtë”. Një “nëntor i ftohtë” kur populli po festonte një shekull si shtet i pavarur. Ky titull “i ftohtë”, sipas vokalistit Petrit Çarkaxhiu, ishte si pasojë e mosinformimit dhe injorancës së popullit për këtë datë të rëndësishme, mirëpo edhe për gjendjen e atëhershme në të cilën gjendej populli shqiptar. Kjo këngë është e ndarë në tri pjesë, ku pikërisht pjesa e parë flet për 28 nëntorin e 1912-ës, ku, sipas Petritit ishte viti më i vështirë i popullit shqiptar, sidomos për ata të cilët u ndanë me forcë nga Shqipëria.
Përveç këngëve të lart përmendura, grupi “Jericho” njihet edhe për shumë këngë të tjera si: ”Zgjohu”, ”Tomlin e nonës”, ”Kur do t’pushojë kjo kangë”, ”Albanian Rhapsody” e shumë të tjera. Tani anëtarët e grupit janë në përgatitje të albumit më të ri të tyre.
Pjesëtarët e këtij rock grupi janë:
Petrit Çarkaxhiu – Vocal & Rhythm Guitar
Leonard Canhasi – Solo Guitar
Suad Jamini – Bass Guitar
Visar Rexha – Drums