Jetësohet “Mbi Re”, sopranoja Arta Jashari: Koncerti më i përzemërt nga të gjitha performancat në karrierën time

12 Tetor, 2022 - 4:12 pm

Era Berisha

Sopranoja Arta Jashari, pianistja Pranvera Hoxha-Bryma, kitaristi Astrit Stafai, Avni Krasniqi në trumpetë dhe Yllka Simnica në flaut, kanë sjell mbrëmë një numër të interpretimeve që të lënë pa fjalë. Koncerti ka zgjatur vetëm një orë dhe përbrenda kësaj periudhe kohore, janë performuar gjithsej dymbëdhjetë vepra të cilat vështirë se harrohen dot. Ishte një natë që ka frymuar nëpër magjitë ekzistuese të ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, që erdhën të ripërpunuara nga Kreshnik Aliçkaj, e të cilat kanë zgjuar shumë emocione në mesin e audiencës në kuadër të edicionit të pestë të “PriVocalFest” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ajo se çka dallohej në hyrje të këtij koncerti në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, fillimisht ishte numri i lartë i të pranishmëve, që sa vinte e shtohej dalëngadalë. Nga skaji në skaj, dukshëm shiheshin edhe karriget e shtuara për audiencën që dëshmonte se ata janë krenarë për krijimtarinë e pasur të “bilbilit” të Kosovës, një krijimtari kjo që është njëra ndër më të bukurat që është krijuar ndonjëherë.

Disa në këmbë, e shumica të ulur, koncerti frymoi nëpër një dashuri që ishte përhapur nëpër tërë atmosferën. Ajo se çka i shtonte hijeshi në masë të madhe, ishte edhe skena që ishte qëndisur me perde të zeza në prapavijë, si dhe reflektorë në ngjyrë të gjelbër dhe kaltër. Një dritë e ngrohtë në mesin e hapësirës në një distancë të largët ishte ajo se çfarë në mënyrë rrethore “rrethonte” prapavijën në skenë. Ndërkaq, dy drita të ngrohta të vendosura anash skenës, veçse bënin që talenti i instrumentistëve të vihej në pah akoma më shumë. Në anën tjetër, këto elemente bënin që edhe veshjet e tyre të merrnin një bukuri të shtuar.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të parafundit të festivalit ‘PriVocal’ e nisi sopranoja Arta Jashari, e cila u shpreh se kjo mbrëmje është e mbushur me këngë të së madhes, Nexhmije Pagarusha.

“Ky program është shumë i veçantë për mua sepse është një thesar i muzikës së mirëfilltë shqipe. Këto këngë i ka kënduar diva shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Unë sonte dua që më shumë se çdo tjetër, të ndjeni dashurinë e muzikës. Dhe mendoj se më së shumti kemi nevojë për dashuri. Andaj ju ftoj që të kënaqeni me këtë program.“

Entuziazmi dhe padurimi, dukshëm shihej në fytyrat e të pranishmëve, të cilët programin e veçantë të përzgjedhur nga ana e performuesve, e kanë shijuar qysh nga nisja e deri në fund. Pianoja bardh e zi në skenë, ulësja anash e thatë në fillim, dhe mikrofoni në mesin e skenës, sinjalizonte për një mbrëmje diversive që pas pak do të prekte fillimin.

“Zëri tij më thërret”, “U ngrit lulja në mëngjes”, “Mos kërko”, “Dashuro”, “Një pikë vese”, “Lirikë pranverore”, “Kënga e rrushes”, “O moj bukuroshe”, “Pse më tradhton”, “Të dua Prishtinë”, “Mbi re”, ishin këngët të cilat hynin e dilnin nga çdo shpirt i pranishëm, me ç’rast, krejt lehtazi luhatnin edhe copëzat më të vogla të tij. Llojllojshmëria e interpretuesve, intensiteti i zërit, magjia e të luajturit një instrument dhe dashuria e pasioni nëpër sytë e tyre, ishin elementet që e kapërthyen këtë mbrëmje në një nga më të veçantat në kryeqytet.

Sopranoja Arta Jashari ishte kryevepra e mbrëmjes. Lëvizjet e saj trupore nga kënga në këngë, harmonia e pastër në zërin e saj, variacionet e ndryshme të zërit, eleganca në skenë si dhe pasioni i saj për secilën këngë dhe secilin tekst, janë disa nga karakteristikat që e dallojnë atë nga shumë interpretuesë të tjerë. Një repertor i mbushur me vepra shqiptare ka prekur “majën” e qiellit. Zëri i saj kumbues, në ndërlidhje me meloditë që pasonin nga dhuntia e pianistes Hoxha-Bryma, me tingujt që vinin nga kitara e Astrit Stafait dhe tingujt nga flauti i Yllka Simnicës, ka dhuruar një spektakël mbrëmë, dhe në qoftë se e madhja Pagarusha, do të ishte e pranishme, krenaria e saj do të dilte përtej mureve të vendit.

Herë në solo e herë në dyshe, koncerti nën titullin “Mbi Re” ka krijuar një natë ku kujtimet nga kjo mbrëmje, përherë do mbeten pjesë e gjithsecilit. Nga dukja e secilit, prezenca skenike e tyre, lëvizjet e tyre në akordim me tingujt që pasonin, e deri tek ndjeshmëria që përçohej nga çdo melodi të lëshuar, koncerti me të vërtetë i ka dërguar të pranishmit “mbi re”.

Është vetëm edicioni i pestë i “PriVocalFest”, por përgjatë këtyre edicioneve, festivali ka dëshmuar se surprizat, janë pjesë e tij. Kjo u dëshmua edhe mbrëmë me rastin e “dhënies” së hapësirës, ndaj gazetares ukrainase Lyudmila Makey, e cila para të pranishmëve, ka interpretuar magjishëm veprën e saj të kompozuar vetë. E vetme në piano e këndim, ajo në gjuhën e saj amtare, ka bërë që audienca ta përqafojë ngrohtësinë e gjuhës së saj të bukur.

Krejt në fund, për të përmbyllë mahnitshëm këtë mbrëmje, qe “Lule Borë” ajo që bashkoi artisten ukrainase dhe sopranon Jashari në skenë, për një duet unik. Gërshetimi i dy zërave kontrast, dukej se po funksiononte, kjo për shkak se duartrokitjet, brohoritjet dhe fishkëllimat e shumta, ishin ato që iu dhuruan dy artisteve në skenë si shenjë falënderimi, dhe jo vetëm. Ngritja në këmbë e publikut, synoi për të falënderuar gjithë pjesëmarrësit, për këtë mbrëmje të mbushur plot me dashuri, mall e nostalgji.

Sopranoja Arta Jashari për KultPlus është shprehur se pas një rrugëtimi të gjatë, më në fund, ka jetësuar koncertin “Mbi Re”.

“Sonte kalova jashtëzakonisht mirë. Unë kam vite që po mundohem për të sjell këtë koncert në skenë dhe nuk kam pasur përkrahje shtetërore aspak, sepse përndryshe, kjo do të kishte dal shumë bukur me u sjell me një orkestër që i takon me interpretu një muzikë të tillë. Po besoj që këngët e Nexhmije Pagarushës janë pëlqyer shumë nga publiku për arsye se këto këngë janë këngë që nuk janë kënduar për vite me radhë. Mungojnë shumë të dhëna për këto këngë dhe është dashur që me “vesh” me i gjet tekstet. Natyrisht që përgjegjësia ka qenë tepër e madhe, por kënaqësia është ajo e cila tejkalon çdo tjetër ndjenjë. Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë dhe për këtë e falënderoj Kreshnik Aliçkajn dhe Edon Ramadanin, të cilët kanë pranuar për t’i shkruar krejt dhe reduktuar tekstet vetëm për vokal dhe piano. Kemi bërë shumë prova dhe mund të them se për të gjitha këto vite që unë jam në skenë, kudo që kam qenë, koncerti i sotëm është që ai koncert ku unë jam kënaqur me krejt zemrën time sepse kjo muzikë ta kënaq shpirtin”, thotë Jashari.

Ndërsa, pianistja Pranvera Hoxha-Bryma, ka potencuar se i gjithë repertori për të, ka qenë premierë.

“Mbrëmja ishte shumë e veçantë, natyrisht se pothuajse gjithë repertori ka qenë premierë për mua. Nga formacioni orkestral, këngët janë aranzhuar për piano, zë, kitarë. Me të vërtetë që ka pasur këngë që për publikun, ka qenë hera e parë që i ka dëgjuar. Këngët janë ripërpunuar dhe i kemi sjell në skenë për të pasur mundësi që ato të jetojnë më gjatë dhe të performohen përsëri. Barra më e madhe i ka rënë Artës, ngaqë i është dashur që ajo t’i adaptohet stilit të këngëve. Jemi munduar që të mos dalim edhe shumë jashtë zhanrit të këngëve. Kam pasur mundësinë që këngët t’i interpretoj sa më bukur dhe të mishërohem me Artën”, ka thënë Hoxha-Bryma.

Kurse, kitaristi Astrit Stafai ka thënë për KultPlus se Nexhmije Pagarusha, për të, ka qenë si një “nënë” e dytë.  

“Edhe pse koncertet i kemi përditshmëri, për sa i përket emocionit, janë raste të rralla si kjo e natës së sotme. Kur bëhet fjalë për divan tonë të muzikës, Nexhmije Pagarushën, dihet se për çfarë bëhet fjalë. Unë e kam pasur si nënë të dytë sepse ka qenë edhe mike e nënës time. Pra, kuptohet që kur kemi të bëjmë me një repertor të tillë, atëherë edhe ne jemi munduar që t’i sjellim këto këngë në mënyrën më origjinale, ashtu siç kanë qenë edhe të kompozuara dikur. Është goxha sfiduese për solo këngëtarët, për të luajtur këngët e Nexhmijes, sepse ne e dimë të gjithë se këto këngë kanë një karakter shumë interesant dhe janë stilistikisht të komplikuara, por megjithatë publikut i ka pëlqyer shumë”, thotë Stafai.

Po ashtu, instrumentisti Avni Krasniqi ka thënë se Nexhmija ka lënë një thesar të këngëve shqipe.

“Sonte u ndjeva shumë mirë dhe ishte një kënaqësi që sonte isha pjesë e këtij koncerti të jashtëzakonshëm. Në fakt, është një përgjegjësi tejet e lartë për shkak se ne e kemi pasur fatin që ta kemi një yll si Nexhmije Pagarusha, dhe që ajo ta lejë një thesar të bukur me këngë, andaj siç u pa edhe sonte, kjo ishte një përmbledhje e disa këngëve të saj. Është gjithmonë përgjegjësi, sidomos para një publiku të tillë, por megjithatë ishte shumë kënaqësi”, thotë ai.

Kujtojmë se “PriVocalFest” do të përfundoj sot edicionin e pestë të tij, me koncertin nga Kori i Filharmonisë së Kosovës në Kishën Katolike “Shën Ndou”, me fillim nga ora 20:00.

Fotografitë: Adi Beqiri / KultPlus.com

Të ngjajshme