John Lennon: Martesa nuk është domosdoshmëri, pse na keni bërë të besojmë gjëra të paqena?

9 Tetor, 2020 - 1:30 pm

Ylli i ndjerë muzikës rok, John Winston Lennon sot do të shënonte 80 vjetorin e lindjes.

Muzikant anglez i zhanrit rok, tekst-shkrues, autor, dhe aktivist për paqe që ka marrë famë në mbarë botën si njëri nga anëtarët themelues të “The Beatles”, pas një ndërprerje pesë-vjeçare nga muzika dhe syri i publikut, bashkë me grupin bënë një rikthim me albumin e tyre “Double Fantasy”, por brenda disa javësh nga rishfaqja e tyre, Lennon u vra në mbrëmjen e 8 dhjetorit 1980 nga Mark David Chapman, një tifoz i njëhershëm i “The Beatles”, i zemëruar dhe xheloz për karrierën e vazhdueshme të John, i cili qëlloi fatalisht Lennon katër herë në pjesën e prapme jashtë ndërtesës së tij të banesës, The Dakota, ndërsa Lennon po kthehej në shtëpi. Brenda disa minutash pasi u qëllua, John Lennon ishte i vdekur në moshën 40 vjeçare. Vdekja e tij e dhunshme ishte një fund i papritur dhe tragjik i jetës së një këngëtari dhe muzikanti të talentuar që donte të bënte një ndryshim në botë.

Lajmi i vrasjes së Lennon tronditi publikun, ndërsa zhyti në pikëllim njerëz nga mbarë bota. Që nga vdekja e tij ka pasur shumë memoriale në nderim të tij dhe edicione të interpretimit të muzikës së tij, ndërsa këngët e tij ende frymëzojnë adhuruesit e tij dhe muzikantët modern.

Po ju sjellim sot një fjalim të John Lennon-it:

“Na kanë bërë të besojmë se dashuria, ajo e vërteta gjendet vetëm një herë në jetë dhe në përgjithësi para moshës 30 vjeç, nuk na kanë thënë që dashuria nuk ka kohë e nuk mbërrin në një moment preciz.

Na kanë bërë të besojmë se secili prej nesh është gjysma e një portokalli e se jeta ka kuptim vetëm kur arrijmë të gjejmë gjysmën tjetër. Nuk na kanë thënë se kemi lindur Të Plotë e që asnjë në jetën tonë nuk meriton të mbajë mbi supe përgjegjësinë për të kompletuar atë që na mungon: rritemi me veten. Nëse jemi në shoqëri të mirë është thjesht më e këndshme.

Na kanë bërë të besojmë në një formulë të quajtur “dy në një”, dy njerëz që mendojnë njësoj, që veprojnë njësoj e që vetëm kjo mund të funksiononte. Nuk na kanë thënë se vetëm duke qenë individ me personalitetin tënd, të lejon të kesh një marrëdhënie të shëndetshme.
Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri e se dëshirat jashtë saj duhen shtypur. Që ekziston një formulë e vetme për lumturinë, e njëjta për të gjithë ata që dalin jashtë kësaj janë të dënuar të margjinalizohen.

Nuk na kanë thënë se këto formula nuk funksionojnë dhe e tjetërsojnë njeriun. Nuk na kanë thënë se askush nuk do na i tregonte të gjitha këto. Secili nga ne do ti zbulojë vetë. Dhe kështu kur të duash vetveten, do jesh po aq i lumtur e do mund të duash dikë tjetër.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme