Jon Bon Jovi dhe Bryan Adams rezultojnë pozitiv me COVID-19

1 Nëntor, 2021 - 6:32 pm

Yjet e njohur të muzikës, Jon Bon Jovi dhe Bryan Adams, kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, për çka edhe janë detyruar t’i anulojnë të gjitha performancat e planifikuara për fundjavën që e lamë pas.

Bon Jovi e mori lajmin se është prekur nga COVID-19, vetëm disa orë para se të dilte në skenë për të performuar në koncertin e tij në Miami. Mediat lokale raportuar se fansat tashmë ishin future në lokacionin ku do të mbahej koncerti, kur u njoftuan se performance e këngëtarit ishin anuluar.

Zëdhënësit e Bon Jovit kanë bërë të ditur se ai është i vaksinuar dhe po ndihet mirë me shëndet.

Ylli legjendar i muzikës ka qenë përkrahës i madh i masave të sigurisë ndaj COVID-19. Në prill të vitit të kaluar, ai e lansoi videoprojektin “Do What You Can”, një këngë e realizuar me ndihmën e fansave të tij e cila kishte për qëllim t’i motivojë njerëzit që ta vënë në rend të parë shëndetin e tyre dhe ta kalojnë vetizolimin me lehtësi.

Bon Jovi po ashtu ishte pjesë e fushatës së muzikantit Bruce Springsteen për rregullat e sigurisë ndaj koronavirusit, me titull #MaskUpNJ.

Kurse, Bryan Adams ishte planifikuar të performonte në ceremoninë e së shtunës, me ç’rast disa yje u nderuan duke u bërë pjesë e “Rock and Roll Hall of Fame”. Në këtë ngjarje, Adams planifikohej të shfaqej krahas kantautores, H.E.R., për ta interpretuar këngën “It’s Only Love” për nderë të ikonës së muzikës, Tina Turner, e cila ishte në mesin e artistëve të nderuar gjatë mbrëmjes. Bryan dhe Tina kanë realizuar duet së bashku në vitin 1985. Ndërkaq, ylli australian i muzikës rok dhe country, Keith Urban, e zëvendësoi Adamsin në këtë performancë.

Një përfaqësues i këngëtarit tha për revistën “Billboard” se ai është i vaksinuar dhe nuk po përjeton simptoma të rënda të COVID-it.

Vitin e kaluar, Bryan u bë lajm dhe shënjestër e kritikave për sharjet e tij në mediat sociale, me ç’rast kishte deklaruar se i fajëson disa persona të ndyrë që hanë lakuriqë nate të blerë në tregje të fëlliqura të kafshëve, për krijimin dhe përhapjen e këtij virusi vdekjeprurës. Kantautori kanadez më vonë kishte kërkuar falje publike për fjalët e tij të ashpra, duke thënë se kishte për qëllim të fliste për “mizorinë e tmerrshme të kafshëve” dhe të promovonte veganizmin.

Muajin e kaluar, Adams e paralajmëroi turneun muzikor nëpër Britani të Madhe, i cili ka për qëllim promovimin e albumit të tij të 15-të të incizuar në studio, “So Happy It Hurts”, dhe i cili pritet të lansohet në mars të vitit të ardhshëm. Turneu fillon në maj të vitit 2022 dhe i përfshinë gjithsej 20 koncerte. / KultPlus.com

Të ngjajshme