Jonida kërkon ndihmën e institucioneve dhe bizneseve për përfaqësimin në Eurovizion

5 Shkurt, 2019 - 6:03 pm

Kanë mbetur edhe disa muaj deri tek Festivali Evropian i Këngës – Eurovision.

Këngëtarja Jonida Maliqi, e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë në Eurovision me këngë “Ktheju Tokës”, ka nisur përgatitjet për një prezantim sa më dinjitoz.

Përveç këngës e cila pritet shumë shpejt të publikohet në versionin final bashkë me videoklip, rëndësi më të madhe ka paraqitja në skenën e madhe të festivalit i cili ndiqet nga 200 milionë shikues.

Jonida dhe grupi i saj që pritet të udhëtojnë drejt Tel Avivit në muajin maj, dhe kanë nisur të kërkojnë financim nga institucionet dhe bizneset, pasi RTSH ka një buxhet të kufizuar për prezentim në Eurovision, transmeton Magazina.al.

Këtë e ka konfirmuar edhe kompozitorja e këngës Eriona Rushiti, e cila ka thënë se po e bëjnë këtë që të mos kenë probleme me realizimin skenik dhe që Shqipëria të ketë një paraqitje sa më dinjitoze në skenën evropiane.

https://www.youtube.com/watch?v=463I8UT_3n4

“Po kërkojmë mbështetje edhe nga pushteti edhe nga bizneset, që të dyja na duhen. Jonida nuk përfaqëson veten në Eurovision, por gjithë shqiptarët, ndaj një mbështetje nga të gjithë i bën mirë Shqipërisë. Kjo do të thotë që të mos kemi problem me pamundësinë e realizimit skenik për shkaqe financiare”, ka thënë kompozitorja e këngës “Ktheju Tokës”.

Eurovizioni këtë vit mbahet në Tel Aviv, më datat 14,16 dhe 18 maj, kurse Shqipëria do të prezentohet në natën e dytë. / KultPlus.com

Të ngjajshme