26 Shkurt, 2018 - 1:29 pm
Përkundër temperaturave shumë të ulëta që mbizotëronin jashtë Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë, ky koncert kishte mbledhur shumë shikues, që e shijuan atmosferën e ngrohtë të Filharmonisë së Kosovës.
Gili Hoxhaj
Filharmonia e Kosovës, mbrëmë solli dy vepra të mëdha që mundësuan që publiku prishtinas për të parën herë të shijoj vepra të përmasave të mëdha artistike. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë këto vepra i interpretuan nën dirigjimin e Alexander Walker nga Britania e madhe, shkruan KultPlus.
Përkundër temperaturave shumë të ulëta që mbizotëronin jashtë Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë, ky koncert kishte mbledhur shumë shikues, që e shijuan atmosferën e ngrohtë të Filharmonisë së Kosovës. Shumë pranë publikut ndodhej pianisti kosovar, Misbah Kaçamaku që solli pesëdhjetë minuta lojë të veprës monumentale të kompozitorit të madh gjerman Johannes Brahms. Vepra “Koncert për piano nr.1 në d-mol” daton që nga viti 1858. Vepër të cilën autori Brahms e solli një vit më vonë në publik, e që ishte vepra e parë orkestrale e Brahms. Kurse mbrëmë, derisa publiku po shijonte këtë vepër, jo rrallëherë loja e pianistit Kaçamaku bëri që e tërë salla të përqendrohet në tingujt e pianos. Se kjo vepër do shumë punë, vërehej edhe nga përqendrimi i pianistit, i cili e kishte nuhatur me një përjetim muzikor, ndërsa mes sekondash të pushimit ai shpesh hidhte sytë lart e i kthente pranë tasteve të pianos. Ai tha se për pesë vite vetëm e ka studiuar këtë vepër, pa filluar ta ushtroj atë, derisa ka filluar gjashtë muaj punë intensive.
“Unë personalisht kam filluar të merrem me këtë vepër për pesë vite, herë duke e lënë e herë duke iu kthyer përsëri, por për gjashtë muaj jam ulur dhe kam punuar në të. Veprat e mëdha zakonisht janë të tilla që të marrin vite të tëra, derisa të njohësh”, u shpreh pianisti Kaçamaku për KultPlus.
Ai tha se për të katërtën herë punon me Filharmoninë e Kosovës, ndërsa thotë se është një kënaqësi e veçantë bashkëpunimi me ta, për shkak që janë tejet bashkëpunues e pozitiv.
Dirigjenti nga Britania, Alexander Walker, kishte shkelur në skenat e shumë vendeve të botës, e mbrëmë për të parën herë erdhi për të dirigjuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Një përkushtim e komunikim muzikor mes tij, pianistit e veçmas Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, reflektohej në çdo lëvizje të tij. Mbrëmë publikut prishtinas i sollën veprën e Bethovenit, “Simfonia Nr.8 në F-dur, Op.93”. Pas çdo pushimi dora e tij numëronte rreth pesë sekonda lart, deri sa shtrihej me shpejtësi për të filluar rrugëtimin e magjishëm muzikor, që Orkestra e dhuronte me shumë përkushtim. Kur dirigjentit i shtohej dhe buzëqeshja, ishte sinjali më i mirë për orkestrën që loja veçse po shkonte në drejtimin e duhur. Walker tha se ishte mahnitur nga puna e orkestrës dhe bashkëpunimit që kanë në mes vete që edhe e kushtëzon suksesin e lojës së tyre.
“Kur u ftova që të vij në Kosovës, isha pak i stresuar, sepse nuk e dija se çfarë do të gjej këtu. Këtu e gjeta një orkestër që është tejet e përkushtuar, shumë të etur për të punuar dhe ata e donin atë që unë bëja, e që është formular për një koncert të suksesshëm”, u shpreh dirigjenti britanik Alexander Walker.
Ai tha se atë e kishte mahnitur prania e shumë të rinjve në këtë koncert, gjë që jo shpesh i ndodh në koncertet e vendeve të tjera. “Gjëja më e mirë këtu ishte që në këtë koncert pash aq shumë njerëz, por jo vetëm fakti që kishte shumë audiencë por që në këtë audiencë kishte shumë njerëz të rinj”, tha Walker për KultPlus.
Duke qenë se pianisti Misbah Kaçamaku, kishte qenë edhe nxënës i profesoreshës Lejla Pula, ajo për KultPlus tha se ndihet e kënaqur nga interpretimi i tij sonte, që sollën një bashkëpunim të shkëlqyer me dirigjentin nga Britania e Madhe dhe me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
“Më vjen shumë mirë që publiku kosovar ka pasur mundësi ta shijoj këtë koncert të bukur nr.1 në d-mol të Johannes Brahmsit, e këtë vepër ta dëgjoi këtu me Filharmoninë e Kosovës”, tha profesoresha Lejla Pula.
Ajo tha se shembulli i pianistit Kaçamaku shërben me së shumti si inkurajim për pianistet e rinj t’i qëndrojnë besnik karrierës koncertale.“Unë kam shumë dëshirë që të krijohet një traditë e tillë dhe të vazhdoj këtu në Kosovë, në mënyrë që edhe gjeneratat e reja që janë të talentuar ta shohin perspektivën e tyre në skenën kosovare. Me këtë aktivitet edhe të Misbahut edhe të pianisteve të tjerë që kanë vullnet dhe dëshirë që t’i qasen edhe me tutje karrierës koncertale.
Koncerti i radhës nga Filharmonia e Kosovës, vjen në fillim të muajit mars, më 11 mars, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë. /KultPlus.com