Kaltrina Miftari, Safet Berisha e Lekë Salihu risjellin magjishëm veprat e vjetra e të reja të muzikës klasilke në ‘Chopin Festival’

21 Maj, 2023 - 10:30 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmja e të premtës në festivalin e muzikës ‘Chopin’ ishte e dedikuar për soprano Kaltrina Miftari, kontratenorin Safet Berisha dhe pianistin Lekë Salihu, një treshe kjo që mjeshtërisht bënë bashkë muzikën e kohërave dhe kompozitoëve të ndryshëm, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi më veprën ‘Ombra mai fu’ të kompozitorit Xerxes Handei, një vepër kjo e vitit 1738. Ishte Safet Berisha dhe pianisti Salihu, që nisën këtë mbrëmje me pikërisht këtë vepër e që zgjoi emocionet në publik qysh në hapje të koncertit.

E mbrëmja më pas vazhdoi me Berishën i cili solli edhe veprat e tjera si ‘Cara Sposa’, ‘Fac ut porte’ dhe  ‘Music for a while’.

Më pas në skenë u ngjit sopranoja Kaltrina Miftari e cila nën shoqërimin e pianos solli veprën ‘Ne poy, krasavita, pri mne’ të kompozitorit ‘Rachmaninoff. E më pas emocion më i madh u transmetua teksa ajo interpretoi veprën e Bejto Halilit ‘Kenke nuri i bukurisë’.

Gjer në fund, sa solo sa në duet, Miftari dhe Berisha arritën të sjellin një mbrëmje të paharrueshme me interpretime të pashoq. E që kjo mbrëmje u mirëprit shumë në publik e dëshmuan edhe duartrokitjet e shumta nga ata që kishin zënë plot ulëset në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare.

Pas koncertit, për KultPlus foli kontratenori, Safet Berisha i cili u shpreh se ishte një mbrëmje që kaloi shumë mirë, marrë parasysh feedback-un që morën në publik.

“Kemi punuar shumë dhe ka qenë goxha sfiduese për shkak të natyrës së veprave, sepse kemi filluar me muzikën e vjetër e cila ishte në pjesën e parë, deri tek këto më të rejat e më të lehtat që i dëgjuat në fund dhe po besoj që edhe publiku e mirëpriti”, tha Berisha.

Më tutje, Berisha foli edhe për programin që kanë zgjedhur të interpretojnë, marrë parasysh faktin që ai si një kontratenor është më i fokusuar në muzikën më të vjetër, muzikës që i përket periudhës nga shekulli i 15-të deri në gjysmën e shekullit të 18-të.

“Muzika që unë si kontratenor e interpretoj është paksa e limituar në atë që mujnd të intepretoj solistikisht sepse stili të cilin unë e kultivoj është kryesisht muzikë e vjetër, e më pas Kaltrina ka mundësinë që të përzgjedhë lloje të ndryshme të muzikës dhe jemi munduar që të zgjedhim veprat që do të jenë më atraktive për publikun’, u shpreh Berisha për KultPlus.

Ndërkaq, në këtë mbrëmje ku u bën bashkë muzikë të kohërave dhe kompozitorëve të ndryshëm, nuk do të ishte e mundur pa shoqërimin e pianistit Lekë Salihu, i cili mes emocionesh pas koncertit tha për KultPlus se pavarësisht sfidave, ishte një koncert i arrirë.

“Ne kaluam shumë mirë, është gjithmonë sfiduese me lujt në një program kaq të gjerë e nga kompozitorë të llojllojshëm dhe të gjitha kontinentet, megjithatë ne ishim shumë të lumtur sepse gjithë kjo punë dhe ky mund u shpërblye në fund,sepse morëm një përgjigje shumë të mirë nga publiku”, tha më tutje ai.

Ndërkaq, ju kujtojmë që publiku do të ketë mundësinë të shijojë  vepra të ndryshme në festivalin ‘Chopin’ deri më 9 qershor./ KultPlus.com

Të ngjajshme