21 Tetor, 2018 - 1:30 pm
Alberina Haxhijaj
Mbrëmë në Prishtinë ka filluar edicioni i 19-të i Festivalit KamerFest 2018. Ky festival filloi me një mbrëmje të muzikë kamertale e cila mirëpriti artistë nga Kosova, Italia dhe Franca, shkruan KultPlus.
Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, adhurues të muzikës kamertale dhe ndjekës të risive që sjellë çdo edicion i festivali KamerFest, shijuan një koncert të larmishëm i cili solli në skenën e vogël të këtij amfiteatri instrumentistë të ndryshëm.
Sipas drejtoreshës së këtij festivali të muzikës kamertale, Sihana Badivuku, e veçanta e këtij edicioni janë talentët e ri, laureatët e garës Ars Kosova 2017-2018, pjesëmarrja e ansamblit Ars Kosova si dhe ansambli i klarinetistëve të ri, studentë të Universitetit të Prishtinës. Përtej kësaj ky edicion do të sjellë instrumentistë nga Kosova por edhe nga vendet e tjera të botës.
“Edhe këtë vit ju mirëpresim me një program të pasur të veprave kamertale, kompozitorë që së bashku me artistët tanë, Antonio Gashi, Fraim Gashi tani janë pjesë e pandashme e festivalit. Gjithashtu kemi nderin të prezantojmë edhe emra të ri të instrumentistëve të njohur në skenën ndërkombëtare dhe vendore, si : Rudens Turku, Pierre L, Raffaele B, Vlorent Xh, Maurizio Baglini, Merita R , Klevis Gj dhe artistë të tjerë. Gjithashtu disa prej artistëve dhe profesorëve do të mbajnë edhe masterklasa për studentët dhe nxënësit e instrumenteve përkatëse”, tregoi ajo për KultPlus për të shënuar kështu këtë 19-të vjetor me 13-të mbrëmje muzikore.
Mbrëmja e parë e këtij edicioni filloi më dy instrumentistët Pierre-Laurent Boucharlat i cili vjen nga Franca në piano dhe Raffael Bertolini nga Italia. Ata filluan këtë koncert me kompozitorin Robert Schumann me veprën “Fantasiestucke” për klarinetë dhe piano. Pastaj pianisti Pierre-Laurent Boucharlat solli një vepër të cilën u shpreh për KultPlus se e ka shumë për zemër, e që sipas tij shumë pak pianistë e luajnë pasi që Claude Debussy e shkroi atë në fillim të karrierës kur ishte i ri, “Baladen Sllave”.
“Kam dashur ta luajë këtë pjesë të Debussy pasi që është një pjesë e gjatë dhe e dua shumë këtë pjesë. Një pjesë që shumë pianistë nuk e njohin pasi që nuk është e famshme, pasi që thonë se ka shumë përsëritje, shumë e veçantë dhe e pamundur për ta luajtur. Pa kuptim, pa emocion, po ndjenja por për mua është e mrekullueshme një pjesë e mrekullueshme. Ai e kompozoi kur ishte i ri dhe këtu kemi një Debussy të ri”, u shpreh ai.
Tutje të dy instrumentistët sollën së bashku përsëri një pjesë, kësaj radhe duke përzgjedhur kompozitorin Francis Poulenc dhe sonatën e tij për klarinetë dhe piano në B-dur.
“Ishte fantastike, njerëzit janë shumë mikpritës dhe organizimi ishte i mirë. Ajo që më pëlqeu më së shumti ishte bashkëpunimi me artistët me të cilët edhe performova sonte. Kam luajtur më parë me Sihanën dhe me Blerimin mirëpo jo me të tjerët. Nëse KamerFest më fton përsëri do jem i lumtur të rikthehem. Për mua është shumë e rëndësishme që të luajë me instrumentistë nga vende të tjera dhe të luajë jashtë Francës. Kur dilni jashtë vendit tuaj ju zbuloni kultura të tjera dhe ndjena të ndryshme për kulturën prandaj edhe është kënaqësi që të luajë jashtë vendit”, u shpreh ai për KultPlus.
Mbrëmja vazhdoi me pjesën e dytë e që ishte një homazh për dirigjentin- maestron Bahri Çela. Në këtë pjesë u interpretua vepra “Crisantemi” nga Giacomo Puccini ndërsa nga Camile Saint- Sawns erdhi septetu për piano, trumpetë, kuartet harkor dhe kontrabas në Es-Dur, Op.65. Kjo pjesë bëri së bashku instrumentistët: Pierre-Laurent Boucharlat – piano, Avni Krasniqi – trumpetë, Sihana Badivuku – violinë, Mrika Hoxha – violinë, Erlinda Gashi – violinë, Blerim Grubi – violinë, Antonio Gashi – violinçello dhe Fraim Gashi – kontrabas.
“Nuk mund të fillojmë këtë pjesë pa thënë disa fjalë për dirigjentin Bahri Çela pasi që këtë pjesë ia kemi dedikuar pikërisht atij. Ne si artistë e falënderojmë shumë pasi që ai ka dhënë shumë për kulturën tonë, për arsimin tonë dhe KamerFest-i ishte në mesin e ngjarjeve të para pas vdekjes së tij dhe këto pikë vijnë si homazh për të ”, tha Blerim Grubi.
Koncerti i radhës është sonte duke filluar nga ora 20:00. Ky koncert do të mbahet po ashtu në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com