25 Tetor, 2018 - 4:33 pm
Alberina Haxhijaj
Në kuadër të festivalit KamerFest, mbrëmë ka performuar pianisti Andi Duraku dhe violinisti Rron Bakalli, të cilët janë fitues të garës ndërkombëtare të muzikantëve të rinj ArsKosova 2018, shkruan KultPlus.
ArsKosova është një ndër garat e cila mbahet në Kosovë dhe organizohet nga fondacioni ArsKosova. Gara ka për qëllim që të vë në pah talentet e ri të cilët garojnë në 19 disiplina ku përfshihen: Violinë, Violë, Violonçello, Kontrabas, Kitarë, Piano, Flaut, Klarinetë, Bas Klarinetë, Saksofon, Fagot, Oboa, Trompë, Trombon, Korna, Tubë, Muzikë Dhome(Kamertale), Solokëndim dhe Solfezh.
Festivali KamerFest në kuadër të objektivit të tij që ka tash e disa vite si festival e që është promovimi i të rinjve, për këtë edicion të 19-të solli një koncert në të cilin performuan pikërisht Andi Duraku dhe Rron Bakalli fituesit e garës ArsKosova.
Andi Duraku i cili performoi i vetëm në piano solli për të pranishmit sonatën nr.23 “Appassionata” në f-mol të kompozitorit Ludëig van Beethoven dhe “Mephisto Waltz” nr.1 në A-dur nga Franz Liszt. Ai përmes këtyre dy veprave dëshmoi titullin e tij si fitues i garës ArsKosova dhe shfaqi edhe potencialin që posedon.
“Si fitues të ArsKosova 2017, unë dhe Rroni kemi marrë ftesën që në kuadër të KamerFest-it të perfomojmë dhe të paraqitemi me një gjysmë recitali. Pjesëmarrja jonë këtu dhe koncerti ishte shumë i rëndësishëm për ne pasi që të tilla koncerte na japin hapësirë që ta prezantojmë punën tonë. Gjithashtu në kuadër të festivaleve të tilla takojmë edhe pianistë apo muzikantë të njohur të cilët vijnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre së bashku me ne”, u shpreh pianisti Duraku për KultPlus.
Në anën tjetër violinisti Rron Bakalli solli sonatën për violinë dhe piano nr. 2 në A-dur të Johannes Brahms së bashku me pianistin Derek Han i cili erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe carmen phantasy për violinë dhe piano të Bizet-Waxman, shoqëruar nga Arbëresha Shehu. Bakalli është pjesëmarrës në KamerFest që tri vite, mirëpo sipas tij ky vit veçohet më shumë.
“Koncerti sonte ishte një sfidë për ne por edhe një gjë shumë e mirë për të ardhmen tonë. Sonte luajta së bashku edhe me pianistin Derek Han, një pianist i nivelit të lartë dhe shpresoj që edhe në të ardhmen do të kem mundësinë që të luajë së bashku me pianistë të tillë”, theksoi ai për KultPlus.
Në anën tjetër për pianistin Derek Han kjo është hera e pestë që ai vjen në Prishtinë dhe sipas tij është çdo herë mirë të rikthehesh dhe të shohësh sesa progres është bërë në muzikë por edhe në vend. Tutje ai theksoi për KultPlus se loja së bashku me ‘yjet e ardhshëm të muzikës në Kosovës’, siç i quan ai fituesit e garës ArsKosova është një eksperiencë shumë interesante.
“Rron Bakalli është një student i talentuar një instrumentistë po ashtu i mrekullueshëm kështu që ishte kënaqësi që të luajë me të. E gjithë kjo është një eksperiencë e mirë pasi që vijmë këtu dhe luajmë së bashku me studentët, punojmë me ta dhe performojmë në skenë. Ne sjellim një eksperiencë ndryshe dhe ata po ashtu kanë një eksperiencë ndryshe pra bashkohemi së bashku përmes muzikës. Ky është një rast shumë i mirë për të shkëmbyer këto eksperiencat tona në mënyrë që tu japim atyre një mundësi për të parë nga një këndvështrim tjetër. Shkolla këtu e muzikës është shumë e mirë dhe ka profesor të mrekullueshëm por është pjesë e jetës që të shkëmbejmë idetë me të tjerët”, tha ai.
Sonte duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë do të mbahet koncerti i ardhshëm në kuadër të edicionit të 19-të të festivalit KamerFest 2018./ KultPlus.com