‘KamerFest’ vazhdon rrugëtimin me vepra të epokës romantike, José Gallardo, Xhafer Xhaferi dhe Jelena Očić dhurojnë koncert emocional

7 Tetor, 2024 - 10:47 pm

Vjollca Duraku

Vepra të epokës romantike  u interpretuan mjeshtërisht në koncertin e kartërt të Festivalit “KamerFest” nga José Gallardo-Piano, Xhafer Xhaferi- Violinë, Jelena Očić-Violoncel, Sihana Badivuku-Violinë dhe Altin Tafilaj- Violë, shkruan KultPlus.

Koncerti i titulluar “Chamber Masterpieces in KamerFest” edhe kësaj here mblodhi adhurues të muzikës klasike në sallën e improvizuar për koncerte të tilla, si ajo e Amfiteatrit te Bibliotekës Universitare.

Mbrëmja artistike filloi me interpretimin e veprës së kompozitorit S. Rachmainoff- “Trio Elegjik” nr.1, “g moll”, “Trio Elegiaque”, “g minor, no1”, për të vazhduar me P. I. Tchaikovsky – “Romance’ Op.6 Nr.6” për piano trio nga José Gallardo, Xhafer Xhaferi, Jelena Očić, me tinguj që te publiku zgjonin nostalgji, duke e thelluar ndjenjën edhe më tej në mes emetimit të tingujve të qetë dhe atyre më të lartë.

Kësaj harmonie të mrekullushme i printe pianisti argjentinas Jose Gallardo, i cili është drejtor artistik në Festivalin Asiago, në Itali. Si fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai luan koncerte në mbarë botën në vende si: Elbphilharmonie në Hamburg, Filharmonia e Berlinit, Wigmore Hall në Londër apo Teatro della Pergola në Firencë. Është i njohur edhe për prodhime në studio, dhe të publikuar ka 20 CD.

Kurse violonçelistja Jelena Očić me një energji dhe virtuozitet të paparë, i jepte mbrëmjes tërë sharmin.  Kjo artiste përmes veprave të Kabalevsky, Ginastera dhe Senderovas ka fituar çmimin “Regjistrimi i vitit”. “Një nga talentet më të veçanta të violonçelit kohës sonë” dhe “një nga talentet kryesore në fushën e interpretimit të muzikës bashkëkohore” janë lëvdatat e violonçelistëve të njohur Bernard Greenhouse dhe Siegfried Palm për të.

Ky imazh i bukur në dukje dhe përmbajtje plotësohej me interpretimin e violinistit shqiptar Xhafer Xhaferi, i cili me një interpretim krejt të natyrshëm zbërthente ndjenjat e publikut në sallë, të shkrheshin në një me tingujt nostalgjikë. Xhaferi solli me vete përvojën e marrë nga interpretimi në orkestrat prestigjioze si: Gewandhausorchester Leipzig, NDR Elbphilharmonie orchester, MDR Sinfonieorchester, Orchestra della Svizzera Italiana etj.

Ndërsa, mozaiku i mbrëmjes u plotësua në tërësi kur skenës iu bashkangjitën edhe violinistja e shquar Sihana Badivuku dhe violisti Altin Tafilaj në interpretimin e veprave: C. Frank- Piano Kuintet në f moll, “Piano Quintet in f- minor, “Molto moderato quasi, “lento- Allegro”, Lento con molto sentimento”, “Allegro non troppo ma con fuoco”.

Krejt në fund të koncertit violinisti Xhafer Xhaferi për KultPlus tha se ndihej jashtëzakonisht entuziast, pasi në këtë koncert kishte interpretuar përkrah profesoreshës së tij, Sihana Badivuku.

“Ky koncert ishte shumë i veçantë për mua, pasi për herë të parë jam kthyer në Kosovë pas një dekade. Kënaqësi e veçantë ka qenë interpretimi përkrah profesoreshës time të dashur, Sihana Badivuku. Njëkohësisht, pata mundësi që të bashkëpunoj edhe me miqtë e mi me të cilët bashkëpunoj në festivale të ndryshme, por kësaj radhe u kombinuam në KamerFest, dhe besoj që dhamë një koncert të bukur me muzikë nostalgjike me shumë emocion”, ka thënë violinisti Xhafer Xhaferi.

Po ashtu, edhe violinistja Sihana Badivuku ka thënë se ndihet krenare pasi në këtë mbrëmje është paraqitur me nxënësin e saj Xhafer Xhaferi.

“Është kënaqësi e shumëfishtë për mua sepse kam interpretuar së bashku me ish nxënësin tim Xhafer Xhaferi. Kam qenë profesoreshë e tij pothuajse 7 vite. Ai ka vazhduar studimet në Gjermani dhe tani është violinist koncertant dhe është anëtar i orkestrës në Gjermani. Vijon karrierë shumë aktive si solistike ashtu edhe kamertale, dhe jam me të vërtetë krenare pasi tash ai e ka rrugëtimin e tij të pavarur koncertal. Kjo më jep kënaqësi të dyfishtë”, ka thënë drejtoresha e KamerFest Sihana Badivuku.

Ajo më tej ka thënë se ndihej e privilegjuar për perfomancën e dhënë së bashku edhe me kolegët tjerë të mbrëmjes.

“Për herë të parë po luajmë në këtë formacion me pianistin argjentinas Jose Gallardo, i cili është një pianist i jashtëzakonshëm. Për ne ishte privilegj të luajmë me të sepse energjia u kombinua në mënyrë të përkryer, posaqërisht me çelisten nga Kroacia, Jelena Očić. Ndërsa me Altin Tafajn është hera e dytë që performoj, sepse kam me të kam pasur privilegjin që të performoj së bashku në Shkupi KamerFest”, ka thënë më tej Badivuku.

Kurse Altin Tafilajt ky koncert i kishte lënë mbresa, për shkak të harmonisë së krijuar brenda interpretimit të “grupit”.

“Jam shumë i kënaqur, tani pas koncertit edhe shumë i entuziazmuar. Kolegët janë fantastikë sepse për të dhuruar një koncert të tillë është shumë e rëndësishme që të kemi sinergji të duhura, pasi ne këtu mbajmë edhe prova, dhe në rast se nuk janë ndjenjat e duhura nuk funksionon, është pak problematike. Patëm fat, ishte mirë, shkoi gjithçka në rregull. Jam shumë i kënaqur dhe ky koncert më la mbresa të mira” ka thënë Altin Tafilaj.

Koncerti i radhës i KamerFest me titull “Viola d’amore” do të mbahet me solistin Altin Tafilaj dhe artistët mysafirë Sihana Badivuku dhe Rron Bakalli më 8 tetor, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme