27 Mars, 2020 - 10:45 am
Kantautori i famshëm amerikan Bob Dilan, ka befasuar këtë të enjte të gjithë fansat e shumtë anembanë botës, shkruan KultPlus.
Bob Dilan i cili për 5 dekada qëndroi në skenë duke shkruar qindra këngë që ndikuan tek shumë artistë të rinj, për këtë ndikim Dilan arriti që mes shumë çmimeve të rëndësishme, ta fitoi edhe çmimin “Nobel” për letërsi.
Këtë të enjte, Dilan lajmëroi fansat se ka lëshuar këngën e tij më të re. Ai nuk ka publikuar ndonjë këngë që nga viti 2012.
Bëhet fjalë për këngën “Murder most foul”, për të cilën ai nuk ka jep asnjë detaj se kur është incizuar.
“I përshëndes gjithë fansat e mi për mirënjohjen, mbështetjen dhe besnikërinë ndër vite” ka shkruar ai.
“Kjo këngë është e pa publikuar, është incizuar kohë më parë dhe mund të jetë interesante. Zoti qoftë me ju!”.
Teksti i këngës rrëfen vrasjen e Presidentit Xhon Kenedi, por zgjerohet në një udhëtim impresionist, elegant, që bëhet gjithnjë e më apokaliptik. Në këtë këngë shohim Dilanin e viteve të hershme, ku shohim atmosferën e viteve ’60, dhe stilin e Dilanit me referenca për Woodstock, Altamont, e gjithë muzikën e Amerikës së shekullit 20.
Kënga është e disponueshme në webfaqen e Bob Dilanit si dhe në kanalin e tij zyrtar në YouTube. /KultPlus.com