20 Tetor, 2022 - 3:23 pm
Poeti dhe kantautori kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera, sërish vjen pranë publikut artdashës me një krijim të ri muzikor ku është protagonist zëri i tij si këngëtar dhe muzika e teksti që burojnë nga shpirti i tij ngaherë i frymëzuar.
Kënga “Mi Tierra”, e kompozuar dhe kënduar në spanjisht nga Sylë Maxhera, i kushtohet mërgimit, mallit për atdheun, largësinë nga trojet atërore, që përkundër integrimit në realitetin e re në emigrim, përsëri nuk shlyhen dot nga kujtesa dhe mallëngjimi i autorit, por edhe i çdo emigranti tjetër që ka shkelur Perëndimin, në kërkim të një fati më të mirë, duke lënë mbrapa vendlindjen dhe njerëzit më të dashur.
Sylë Maxhera, së fundi promovoi në Prishtinë, në KultPlus Caffe Gallery, dy libra të rinj të shkruar prej tij, me titujt “Zana” dhe “Rrugëve të botës”, ndërsa tashmë krijimtaria e tij tejet e frytshme artistike, sërish ndërthuret midis letërsisë dhe muzikës, me projektin e tij të ri muzikor, përmes këngës “Mi Tierra”, një himni prekës kushtuar mërgimit, shoqëruar nga tingujt e kitarës, violina mahnitëse dhe zëri i autorit, njëherësh edhe këngëtar, që njësohet mrekullisht me shoqërimin e instrumenteve muzikore dhe fjalët e tekstit të kësaj kënge.
Sylë Maxhera është ndër artistët e rrallë shqiptarë, që krijon qoftë në letërsi (poezi dhe prozë), qoftë ne muzikë, në të dyja gjuhët, në shqip dhe spanjisht, dhe kjo krijimtari e larmishme artistike dygjuhëshe, bën të mundur që ky poet muzikant, të shndërrohet në urë kulturore midis Kosovës dhe Spanjës, sidomos kur kemi parasysh mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës akoma nga Spanja.
Ky është teksti i kësaj kënge i përkthyer në shqip:
TOKA IME
E lashë tokën time pa e ditur fare
Se një ditë do t’më mungojë
Qava e qava aq sa munda
Kur e pashë tokën time se si vuan
Sa shumë e dua, më mungon aq shumë
Për tokën time vuaj unë
Sa shumë e dua, në çdo çast
Për tokën time t’bukur, zemra më rreh
Në këtë vend, ku gjendem unë
Jam emigrant, ku t’shkoj nuk kam
Shtëpinë e ke, këtu të gjithë më thonë
Por toka ime e bukur ti mua më mungon
Sa shumë e dua, më mungon aq shumë
Për tokën time vuaj unë
Sa shumë e dua, në çdo çast
Për tokën time t’bukur, zemra më rreh
Autor: Sylë Maxhera./ KultPlus.com