3 Shtator, 2020 - 10:54 am
Të gjithë ishin të emocionuar dhe prisnin me padurim mbrëmjen e 3 shtatorit të vitit 2016, mbrëmje kjo e cila kishte mbledhur artistët më me nam shqiptarë në një vend, shkruan KultPlus.
Ishte ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan ajo që bëri bashkë shumë figura të artit dhe sportit shqiptar. Ky koncert madhështor erdhi i organizuar nga Dijana Toska e mbështetur nga Qeveria e Kosovës.
Artistët shqiptarë me famë botërore, si: Rita Ora, Inva Mula, Ermonela Jaho, Shkëlzen Doli, Zajmir Pirgu, Ramë Lahaj e Gëzim Mushketa, u paraqiten me pika muzikore në këtë mbrëmje që për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm, do të mbahet mend gjatë. Kurse kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, recitoj poezinë e Nënës Terezë “Dua të kthehem në Shqipëri”, duke bërë kështu që çdo shqiptarë të emocionohet e krenaria të arrijë kulmin.
Por, mos të harrojmë të cekim se në këtë ceremoni morën pjesë edhe dy aktorët e rinj nga Prishtina, Lum Veseli dhe Andi Bajgora.
Ndërsa këngëtarja shqiptare Rita Ora këndoi “What Child Is This” duke mahnitur kështu me performancën e saj.
Papa Françesku firmosi atë kohë dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe ceremonia e shenjtërimit u mbajt në bazilikën e Shën Pjetrit. Sipas këtij vendimi, Nënë Tereza do të ishte shenjtëri ditën e diel, më 4 shtator të vitit 2016.
Data 4 shtator është shënuar në Kalendarin Apostolik si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.
Më poshtë po ju sjellim performancën e Rita Orës në koncertin humanitar i cili u mbajt për nderë të shenjtërimit të Nënës Terezë më datë 3 shtator 2016. / KultPlus.com