16 Prill, 2020 - 9:01 pm
Mëngjesi i sotëm u lëshua duke sjellë një atmosferë të zymtë mbi tërë shqiptarinë, pas ikjes në amshim të këngëtares, gazetares, kompozitores Violeta Rexhepagiqi, shkruan KultPlus.
Një këngëtare me stil të veçantë, zë unik dhe interpretime mbresëlënëse qoftë si soliste, qoftë në grupin “Vivien” bashkë me vëllain e saj Armendin.
Me grupin “Vivien” ata sollën këngë të bukura që kanë mbetur thesar i kulturës shqipe. Violeta me zërin e saj u bë ikonë e muzikës dhe modës, një shembull tipik për vajzat e reja të cilat ëndërronin ta ‘pushtonin’ skenën. Dhe inspirimi i tyre padyshim ishte “Romantika”.
Këngën që po e sjellim sonte nga ky grup, mban titullin “Zhurmë e erërave të dikurshme”, një titull i huazuar nga shkrimtari i shquar Dritëro Agolli, respektivisht libri “Zhurma e erërave të dikurshme” me tregime dhe novela.
Interpretimet e kësaj dysheje avangarde janë përjetësuar në veshët e qindra mijëra dëgjuesve anembanë trojeve shqiptare. /KultPlus.com