10 Shtator, 2018 - 12:00 pm
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, i bën kudo krenarë shqiptarët me suksesin e saj.
Pak ditë më parë, ajo solli bashkëpunimin e saj më të ri me Silk City, Diplo dhe Mark Ronson. “Electricity” titullohet kënga e tyre më e re, e cila është pritur mirë nga fansat, dhe në vetëm pak ditë ka arritur shifrën e afro 10 milionë klikimeve në YouTube.
Kjo këngë është pëlqyer edhe nga shqiptarët, ndonëse në fillim me lansimin e saj, jo gjithçka shkoi mirë.“Electricity” e cila menaxhohet në YouTube nga kanali Vevo, nuk ishte e disponueshme për Kosovën.
Me të klikuar videon, shqiptarët nga Kosova e kishin të pamundur ta shikonin atë, kjo ngase që në start videoja i paralajmëronte për mos-hapjen për shkak të lokacionit ku ata ndodhen.
Krejt kjo ndodh për faktin se platformat e mëdha digjitale si Vevo nuk e njohin Kosovën si treg, ashtu si dhe shumë tjera, ngase fitimet nga YouTube në të tilla shtete janë aq të vogla, sa nuk vlejnë për t’i bërë publike videot në fjalë.
Mirëpo, me të parë këtë gjë, duket se stafi i Dua Lipës ka ndërhyrë duke i kërkuar Vevo-s që ta bëjë të disponueshme këngën “Electricity” edhe për Kosovën, kjo ngase këngëtarja shqiptare ka shumë fansa këtu.
Dhe një kërkesë e tillë mesa duket është aprovuar, kjo ngase tani të gjithë shqiptarët e Kosovës kanë mundësinë ta shikojnë dhe klikojnë këngën “Electricity” nga Dua Lipa, Silk City, Diplo dhe Mark Ronson. /Telegrafi/