30 Prill, 2024 - 4:44 pm
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore solli mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor shfaqjen “Këngët e Atdheut tim”. Koncerti me pjesëmarrjen e një numri të madh këngëtarësh, u realizua në nder të Mjeshtrit të Madh të Penës dhe Polifonisë së Jugut, Lefter Çipës, “Nderi i Kombit”.
Vlerat muzikore, pjesë korale të përpunuara nga krijimtaria e mjeshtrit Çipa dhe ndërthurje e polifonisë vokale me instrumentet popullore, si dhe etydi koreografik, erdhën nga orkestra, solistët, grupi vokal, grupi i valleve të AP-së, si dhe grupeve të ndryshme polifonike.
Për herë të parë erdhi në duet diva e TKOB, Eva Golemi me legjendën e rocku-t shqiptar Aleksandër Gjoka, në një përpunim të këngës së famshme “Tundu bejke e bardhë” nga kompozitori dhe drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar, Sokol Marsi.
Koncerti pati pjesëmarrjen e veçantë të artistit Bujar Asqeriu “Nder i Kombit”, solistëve: Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Gjezo, Mirela Aliaj, Raimond Kllogjeri, Avni Miraka; solistëve valltarë: Gëzim Halili, Helga Saraçi, Marjana Shkreta, Rei Berisha, Frenki Ziaj. Pjesëmarrës në koncert ishin edhe Irini Qirjako, Petrit Lulo, Artur Vera, Bashkim Alibali, Hatixhe Lushi, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Pilurit e shumë artistë të tjerë.
Poeti Lefter Çipa (Pilur, 1942 – 2021) është autori më prodhimtar i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike. Lefter Çipa konsiderohet si autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore dhe ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në Festivalet Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë.
Lefter Çipa është nderuar me çmime dhe dekorata, ndër të cilat edhe me dekoratën më të lartë, “Nderi i Kombit”./atsh/KultPlus.com