23 Korrik, 2024 - 7:46 pm
Vjollca Duraku
Energjia e këngëtares së madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, të hënën mbrëma u ndje si rrallë herë më parë në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit, përmes perlave të saj muzikore të risjella në një verzion fantastik nga Kaltrina Miftari, Adelina Thaçi, Farrah El Dibany dhe Artur Vera, nën përcjelljen e “Keli Bend”.
Kryevepra “Baresha” ishte kënga e parë e cila u interpretua në këtë koncert nga sopranoja e mrekullueshme Kaltrina Miftari, para një publiku i cili në ulëse i kishte shëndrruar edhe shkallët e Teatrit. Freskia e një nate verore dhuroi një përjetim të hatashëm të himneve të divës shqipare, të sjella në natën e dedikuar “Nexhmije Pagarusha”, në edicionin e katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival”.
Veçantia e mbrëmjes qe interpretimi i mezzo-sopranos së famshme nga Egjipti, Farrah El Dibany, e cila la shpirtin në këngët interpretuese si: “Vet ke mbet”, “E dehun jam”, “E kujtoj at’ takim…” dhe në kolazhin me këngë të përgatitur së bashku me kolegët tjerë të skenës. Paraqitja e saj tërhoqi vëmendjen e publikut, ndërsa përjetimi i këngëve nga vetë artistja vërehej fare lehtë si në paraqitje po ashtu edhe në tinguj, të cilët bashkë me erën vallëzonin rreth e përqark sheshit të kryeqytetit.
Profesionalizmi i sopranos Adelina Thaqi tashmë i aprovuar nga audienca, përjetohej aq natyrshëm në këngët “Dashuro”, “Zani tij më thërret” dhe “Kur një ditë të kthehesh ti”, kurse zëri fantastik dhe i veçantë i baritonit Artur Vera publikut i la një shije të mrekullushme në këngët: “Dashnor tu bana”, “As aman trëndafili çelës”, “Kapidan o djal’ i ri” dhe ‘Vajza me Kaqurrela”.
Koncerti u përmbyll me interpretimin e një kolazhi të përgatitur nga katërshja fantastike e natës së parë operistike të festivalit RLIOF, i cili me gjithë repertorin e paraqitur u bë një me audiencën përgjatë gjithë paraqitjes, duke rezonuar në plotni edhe me slloganin e sivjetëm të festivalit ‘T’knoft zemra”.
Pas koncertit, sopranoja Kaltrina Miftari interpretimin në këtë mbrëmje e quajti eksperiencë të veçantë.
“Është hera e dytë për mua që marr pjesë në këtë natë të festivalit “Rame Lahaj Inetrnational Opera Festival”. Ishte eksperiencë shumë e veçantë. Këngët kësaj radhe i ka përzgjedhur festivali. Të gjitha janë shumë të bukura dhe shumë të dashura për të gjithë ne. Edhe aranzhmani është shumë interesant dhe jam e kënaqur që publiku po i pëlqen edhe po i pranon pak më ndryshe se që jemi mësuar t’i dëgjojmë këto këngë”, ka thënë Miftari.
Ndërsa tenori Artur Vera ka thënë se për të është nder të interpretohen këngët e Nexhmije Pagarushës.
“Interpretimi për mua si këngëtar lirik në fakt ka qenë pakëz sfidues, sepse këngët janë sjellur në një version tjetër, i sjell në kohë edhe u shton vlerën. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Unë di të them që nuk ka shembull më të mirë të bashkimit tonë dhe të qenësisë së kulturave se sa muzika e cila na bashkon të gjithëve shpirtërisht. Kështu që shembulli i sotëm që të gjithë bashkë të bëhemi edhe me ca gjëra të tjera që janë më të thella, që janë më shpirtërore, që në thelb është kultura e përbashkët. Për këtë gjë jam shumë i lumtur. Është nder që të interpretosh në emrin e Nexhmije Pagarushës”.
Kurse për mezzo-sporanon, El Dibany, reagimi i publikut i dha zemër për të kënduar mrekullisht në gjuhën shqipe, gjuhë të cilën ajo nuk e flet.
“Ishte paksa e vështirë t’i memorizoja fjalët. Kjo ishte vështirësia e vetme, kështu që nisa t’i mësoja fjalët nga zemra. Por sinqerisht shqiptimi ishte shumë i lehtë. Audienca ishte shumë mikpritëse, inkurajuese. E ndieja energjinë kur midis këngëve duartrokisnin për të më dhënë kurajë. Donin të ma bënin me dije se veçse ishin të lumtur që këndoja këngën e tyre”, ka thënë mezzo-sopranoja El Dibany, duke potencuar se gjatë interpretimit është ndier komplet vetvetja.
“Isha shumë e emocionuar të interpretoja në një gjuhë të cilën nuk e kam kënduar asnjëherë, këngën shqipe. Nuk e di aspak dhe më vjen mirë që e kisha mundësinë të mësoja për Nexhmije Pagarushën nëpërmjet këngëve të saj. Nuk ishte shumë e vështirë ta mësoja gjuhën, sepse me të vërtetë u dashurova në këto këngë. Në momentin e parë kur i dëgjova krijova një lidhje me to dhe e ndjeva më të lehtë pranimin e tyre. E bëra më të mirën nga vetja, shpresoj se publiku e ka pëlqyer”, ka shtuar më tutje ajo.
Koncerti i radhës i “Rame Lahaj International Opera Festival” do të mbahet më 24 korrik në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, i cili i kushtohet kompozitorit italian Giacomo Puccini-it, me rastin e 100-vjetorit të tij të vdekjes./ KultPlus.com