2 Janar, 2021 - 8:54 pm
Tanimë tradicionalisht, çdo vit njerëzit nga mbarë bota votojnë për të zgjedhur 250 këngët më të mira të Eurovizionit.
Festivali që ka nisur para 64 vitesh ka numëruar plot këngë pjesëmarrëse çdo vit, prandaj një përfshirje në këtë listë çdo vit i nderon artistët më të mirë dhe krijimet më të mira por edhe të famshme të festivalit, në të cilin Shqipëria përfaqësohet që prej vitit 2004.
Këtë vit, kjo listë kuptohet që ka në vete frymë shqipe. Në pozitën e 58-të në këtë listë është kënga ‘Mall’ e Eugent Bushpepës, këngëtar ky që e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2018. Në pozitën e 78-të është Jonida Maliqi me këngën ‘Ktheju Tokës’, ndërsa Elhaida Dani, e cila në Eurovizion përfaqësoi shqiptarët në vitin 2015, me këngën ‘Im Alive’ është në pozitën e 92-të.
Në vendin e 100 është Rona Nishliu me këngën ‘Suus’, ndërsa kënga e fundit shqipe në këtë listë është ajo nga Arilena Ara, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizionin e vitit 2020, edicion që nuk u mbajt shkaku i pandemisë, shkruan KultPlus.
Kënga më e votuar në listë është ajo nga Loreen – ‘Euphoria’, e cila e fitoi Eurovizionin në vitin 2012-të. Eleni Foureira, me origjinë shqiptare, është në vendin e dytë të kësaj liste.