24 Korrik, 2023 - 3:00 pm
Fundjava për Vlorën ishte nën tingujt e Sanremos. Banorë të Vlorës por edhe pushues të shumtë, vendas e të huaj, patën mundësinë të ndjekin për shumë orë, një koncert të disa prej këngëtarëve më të njohur italianë, të cilët pëlqehen dhe ndiqen edhe në vendin tonë.
Në koncertin “live” performuan këngëtarë të cilët kanë fituar të paktën një herë festivalin e Sanremos si: Albano, Mieta, Marco Masini, Michelle Zarillo, Pupo, Matia Bazzar, Riccardo Fogli, Iva Zanicchi etj. Hyrja ka qenë e lirë, duke u dhënë mundësinë të gjithë të ishin pjesëmarrës të këtij eventi të jashtëzakonshëm.
Përveç se interpretuan, artistët italianë janë shprehur në skenë, me superlativa për qytetin e Vlorës dhe mikpritjen, duke thënë se do të donin të riktheheshin, madje disa prej tyre vinin për të disatën herë. Në shesh ka ndjekur aktivitetin edhe një komunitet i madh shtetasish italianë.
Koncerti “Sanremo-Vlorë, vajtje-ardhje” u organizua me iniciativën e Sinan Idrizit dhe gjeti mbështetje nga Konsullata Italiane dhe Bashkia Vlorë. / atsh / KultPlus.com