9 Qershor, 2024 - 2:24 pm
Vjollca Duraku
Një koncert madhështor me perla muzipkore të krijuara përgjatë gjysmë shekulli nga artistja Shkurte Fejza u mbajt mbrëmë në prezencën e autoriteteve më të larta shtetërore, për nderë të Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe në shënim të 50 vjetorit të karrierës së saj të pasur artistike, shkruan KultPlus.
“Mbretëresha jonë me kurorë” dhe “50 vjet zëri i kombit” janë togfjalësha të cilët e karakterizuan këtë koncert jubilar, i cili rrumbullakësoi punën e madhe të artistes që ndër vite solli 45 albume, 500 këngë prej të cilave 400 origjinale, mijëra koncerte, festivale, turne e shumë çmime e vlerësime duke i vënë kurorën një misioni të përfunduar me sukses, i cili iu m’vesh këngëtares Shkurte Fejza mbi supe krejt natyrshëm vit pas viti.
Në prezencën e një publiku masiv, notë mbi notë, këngë mbi këngë u soll harta e plotë të atdheut të cilit Shkurtja i kishte kënduar 25 vite para dhe pas luftë, duke e përshkruar plotësisht edhe rrugëtimin shumë sfidues të popullit të saj, që gjithmonë ajo i kishte qëndruar pranë duke duke e motivuar dhe mbështetur nëpërmjet armës së saj më të fortë, zërit, me tekste dhe kompozime brilante nga më të zgjedhurit e kombit shqiptar.
Atdhedashuria e jashtëzakonshme e këngëtares së shquar, e kombinuar me seriozitetin e punës së saj dhe krijimet origjinale nga njerëz me vetëdije të lartë, sollën këngë me mesazhe të jashtëzakonshme patriotike, kushtrimi e qëndrese, që sot janë shëndrruar në hime si: Oj Kosovë, oj nëna ime…”, “Xhamadani vija-vija”, “Mora fjalë…”, “ Jo nuk ndahet Mitrovica”, “E kam emrin kosovar”… , të cilat edhe mbrëmë jehuan në sallë së bashku me zërin dhe shpirtin e publikut, duke krijuar atmosferë të paparë.
Kësaj amosfere, e cila i kishte rrënjët thellë në zemrën e këngëtares dhe publikut një ton të veçantë i dhanë edhe interpretimi i artistëve mysafirë si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, dhe Nikollë Nikprelaj që përfaqësonin tre shtetet shqiptare Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi përmes këngëve “Besa e Shqiptarit”, “Një zemër”, dhe “Ah moj motër” duke dhuruar emocione pambarim, në këtë koncert që përveç artistikisht kombin shqiptar e kishte bashkuar edhe politikisht, duke ulur në një rresht liderë të partive të ndryshme politike.
Për t’u larguar pak nga serioziteti i temave kombëtare të cilat trajtoheshin përmes këtyre perlave muzikore, Shkurte Fejza u kujdes që mbrëmjen ta relaksonte duke sjellë atmosferë të ngrohtë dhe të ëmbël familjare përmes interpretimit të saj të përbashkët me të bijat Gresa dhe Besajana Behluli, përmes këngëve “Ani mori nuse…”, “Djali i Dukagjinit” dhe “Xhamadani kuq si gjaku” të cilat për motiv patën temën e dashurisë, dhe e ndezën edhe më tej atmosferën në këtë koncert madhështor, i cili ishte i tillë edhe falë profesionalizmit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, që mbrëmë u drejtua nga dirigjenti Valton Beqiri.
Në gjithë këtë natë magjike, me personalitete të shumta nuk kishte se si të mungonin edhe fjalët e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, të praruara në këngën “Kosovë-Shqipëri”, e cila ishte futur në agjendë pas kërkesës së Helena Kadaresë. “Etjen për liri që e ndien qysh në djep, si buqetë me lule kohës t’i ia jep, dhe liria të erdhi bota këtë e di, thërret Bashkimi i Kombit Kosovë-Shqipëri”, si mesazh dhe kërkesë që aktualisht përkon me kohën, drejtuar autoriteteve që e nderuan këtë koncert si: Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, Kryetari Përparim Rama, Ramush Haradinaj, ambasadori Petrit Malaj, ish- presidenti Fatmir Sejdiu, Memli Krasniqi etj.
Kohë pas kohe në koncert i cili u udhëhoq nga prezantuesja e ëmbël Alketa Gashi-Fazliu paraqiteshin edhe fotografi që e përshkonin tërë rrugëtimin e Shkurte Fejzës si dhe mesazhe urimi që vinin nga kolegët për këngëtaren të cilën presidentët shqiptar e kishin pajisur me tituj dhe dekorata si “Mjeshtër i madh” dhe “Medalje presidenciale të meritave” krahas shumë nderimeve që i ishin bërë duke e shpallur qytetare nderi në shumë qytete të shqiptarisë.
Në fjalimin e saj, drejtuar publikut prezantuesja Alketa Gashi- Fazliu e quajti këngëtaren Shkurte Fejza dhuratë të çmuar të popullit shqiptar.
“Ne sonte festojmë me dashuri për dhuratën e çmuar Shkurte Fejza që Zoti i dha këtij vendi, e ajo na dha zërin dhe shpirtin e vet përgjatë gjithë jetës së vet. Ju e dini, thuhet se çdo kohë i ka heronjtë e vet por shkurta ishte, pajtoheni të gjithë heroinë në çdo kohë. Për 50 vite karrierë, Shkurte Fejza këndoi 25 vjet në robëri dhe 25 vjet në liri. Edhe kur këndoi në robëri ajo ishte e lirë sepse duket se duke i kënduar lirisë, Shkurte Fejza e ndjeu më herët atë, si të thuash u bë lajmëtare e lirisë” ka thënë moderatorja plot sharm Gashi- Fazliu.
Kurse Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij shprehu mirënjohje të thellë për këngëtaren Fejza, e cila sipas tij në ditët më të errëta të kombit i dha shpresë e zemër mbarë shqiptarisë.
“Unë i kërkoj falje zonjës Fejza që po e marr fjalën fare shkurtimisht, për t’iu falënderuar asaj nga zemra ime dhe nga zemra e madhe e popullit të Kosovës. Me ju Shkurte mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Mbi gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë ne këtu dhe motrat e vëllezërit tanë të mërguar na i ke i ngushëlluar e frymëzuar, na keni dhënë shpresë e forcë që zemra kurrë të mos harrojë dashurinë për Kosovën dhe kombin. Prandaj do ta marrim qarkun si nga hera me këngët tuaja, çarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetëën e lirë, të dashurisë së pavdekshme për secilin që lindi, deshi, punoi e luftoi për Kosovën. Jemi mirënjohës për dhuratën e këngës suaj që na bashkon sot, gjithnjë e përgjithmonë”, është shprehur Kryeministri Kurti.
Krejt në fund të koncertit në një prononcim për media Ilir Shaqiri njëri ndër organizatorët e festivalit “50 vjet zëri i kombit”, u shpreh se ndihej i kënaqur me gjithë atë çfarë u realizua mbrëmë.
“Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, megjithëse nuk ka qenë fare e lehtë, fillimisht për të përzgjedhur 17 këngë që u transmetuan sonte në këtë koncert, sepse Shkurtja e ka gjithë atë bagazh të këngëve të bukura shqipe. Githçka ka shkuar ashtu siç duhet, kemi filluar me kohë, ka tre muaj që kemi filluar përgatitjet dhe mendoj që ka qenë një koncert që vlen të evidentohet posaqërisht për këtë jubile të 50 vjetorit të këngëtares sonë të dashur Shkurte Fejza” ka thënë drejtori artistik i RTK, Ilir Shaqiri duke potencuar se është fans i këngëve të Shkurte Fejzës .
“E mrekullueshme. Shkurta është e lidhur shumë ngushtë, shpirtërisht me kulturën tonë. Ajo që nga fillimet e saj ka sjellë jo vetëm muzikën por edhe poezinë, dëshirën e ndjenjat e popullit tonë për atë për të cilën jemi përgatitur ta bëjmë atdheun të lirë përmes luftës, e pastaj ta bëjmë pavarësinë e atdheut tonë. Prandaj Shkurte Fejza është emblematike kët në periudhë të vështirësive që ka pasur atdheu ynë deri në finalizimin e plotë të pavarësisë së republikës së Kosovës”.
Ndërsa drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, “Shota”, Ylber Asllanaj, këngëtaren Fejza e ka quajtur një prej artisteve më eminente dhe të shquara te vendit.
“Ishte një mbrëmje impozante ashtu siç i ka hije një shteti ta organizojë për një artist, për punën 50 vjeçare, për kontributin 50 vjeçar, siç është artistja Shkurte Fejza. Të gjithë e dijmë që kënga e Shkurtes ka qenë simbol i këngëve të rezistencës, të cilën populli jonë e ka bërë ndër vite. Natyrisht është një prej këngëtareve më eminente dhe më të shquara të popullit”, ka thënë organizatori Asllanaj.
Ndërsa bashkëperformuesi i Shkurte Fejzës në këtë koncert, Nikollë Nikprelaj, tha se ndihet i mrekulluar nga organizimi i një koncerti të tillë.
Kurse Kastriot Tusha i cili në këtë koncert u paraqit si interpretues mysafirë artisten Fejza e quajti artiste me vlera të mëdha kombëtare.
“Nuk është bashkëpunimi i parë, me shkurte Fejzën ne kemi bërë aktivitete pothuajse në të gjithë Evropën. E kam pasur për krenari që e kam pasur në krah. Është një artiste e madhe, një artiste që ka vlera kombëtare. Nga emocionet e kësaj mbrëmje që vërtetë pati urime nga gjithë shqiptaria, unë i uroj të gjitha të mirat, shëndet e jetë dhe ta shohim sa më gjatë në skenat tona” ka thënë Tushaj duke potencuar se Fejza bën pjesë në grupin e këngëtarëve që në ADN kanë gjuhën shqipe.
“Ajo ka bërë një përzgjedhje të bukur, një kompliment për organizatorët që e organizuan këtë koncert sepse nuk bëhen gjërat vetëm Vërtetë më vjen jashtë mase mirë që institucionet mbështesin artistë që kanë ADN shqip. Kështu që Shkurta është njëra nga ato që krenohet e gjithë shqiptaria, këngëtarët mysafirë dhe të tjerët sepse janë këngë karakteri dhe janë orkestruar me aq shije dhe duke mos iu larguar karakterit të këngës. Vërtetë duhen mbështetur këta artistë. Thash edhe një herë kjo është ADN e kombit shqiptar”, është shprehur Tusha.
Edhe vet këngëtarja Shkurte Fejza u shpreh se ndihej e lumtur me ecurinë e gjithë ngjarjes, pasi një koncert i tillë ka pasur kërkesa të larta teknike e muzikore.
“Përzgjedhja e këngëve ishte pjesa më e vështirë, sepse shumë këngë të bukura i kemi lënë anash, të cilat ka qenë e pamundur t’i përfshijmë. Koncerti ka qenë në tërësi live, dhe kjo jep mundësi që artisti thjesht ta përcjellë direkt emocionin te adhuruesi i vet. Mirëpo edhe interpretimi live i ka vështirësitë e veta, edhe pse jemi munduar për të pasur kushte shumë të mira për interpretim, që live-i mos të jetë shumë i vështirë. Thjeshtë është sfidë. Është sfidë ne vete, mirëpo unë u kënaqa sepse dhurova aq sa munda dhe publiku faleminderit që këndonte me mua dhe e vlerësoi një gjë të tillë” ka thënë artistja Fejza që dhuroi emocione të pa harruara në sallë.
Ndërsa në pyetjen se 50 vite më parë, në ëndërrat e saj më të mira a kishte arritur të shihet koncertin e mbrëmshëm, ajo u përgjigj:
Për të qenë krejtësisht e sinqertë, jo, sepse kam filluar shumë herët me këndu, ashtu sikur të gjithë fëmijët e tjerë të talentuar që veçohen prej mësuesit, prindit apo anëtari tjetër të familjes. Jo, nuk e kam ëndërruar, nuk e kam menduar, mirëpo tash jam shumë e lumtur që i preka 50 vite. Më lumturon edhe më shumë pjesëmarrja e një publiku të mrekullueshëm që të jep shtysë që mund të vazhdoj. Kjo tregon se je e dashtun, je e mirëpritun, e admiruar me gjithë ato duartrokitje, me gjithë atë admirim, mendoj që duhet me vazhdu edhe pak, sepse mendoja që kur t’i bëj 50 vite do të pushoj. Por po më duket se jo” ka thënë këngëtarja Fejza.
Ndërsa dirigjenti Valton Beqiri tha se gjithçka ishte realizuar sipas planit, nga ku edhe kishte rezultuar një koncert i tillë të cilin publiku e vlerësoi shumë.
“Unë mendoj që koncerti i sotëm e ka arritur qëllimin që të prezantojmë gamën e gjerë të cilën e ka pasur në karrierë Shkurte Fejza, duke u nisur nga këngët të cilat kanë qenë më të hershme dhe gjenerata më e re nuk i ka dëgjuar, e deri te ato që sot i këndojnë edhe fëmijët si: “Xhamadani vija-vija” apo “Mora fjalë”. Të gjitha këto këngë kanë qenë të gërshetuara me një dramaturgji meqë e kam pasur edhe përgjegjësinë artistike të këngëve dhe programit. Jemi munduar që të kemi një zhvillim edhe të teksteve, tonaliteteve, tingujve, ritmeve duke i menduar gradualisht. I uroj Shkurtes shëndet, jetë të gjatë me shumë këngë të reja” është shprehur Beqiri.
Krejt në fund të koncertit publiku pati mundësi ta përgëzojë Shkurte Fejzën nga afër dhe të fotografohen së bashku, për të pasur një kujtim nga një koncert aq madhështor si ky i 50 vjetorit të saj të karrierës, i cili u mundësua nga Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Orkestra Filharmonisë së Kosovës./ KultPlus.com