13 Dhjetor, 2021 - 1:35 pm
I ftuar në emisionin italian “Verissimo”, Ermal Meta foli për jetën e tij deri tani, dëshirën për t’u bërë një ditë baba dhe sa i shenjtë është normaliteti. I pyetur si kanë qenë 40 vitet e tij të para, këngëtari shqiptar tregoi një udhëtim të bukur, por edhe shumë të vështirë.
“Sapo kam hyrë në të dyzetat. Ndihem mirë. Ishte një rrugëtim i bukur, por sigurisht edhe i vështirë. Në muzikë shikon vetëm atë që bën në skenë, por pas saj ka shumë gjëra që nuk sheh. Për të shkruar duhet të shkatërrohesh brenda dhe ndonjëherë e lëndon shumë veten. Këngët janë lule kur dalin, por shpeshherë rrënjët e tyre janë shumë të hidhura. Nuk mund t’i shohësh, por të dhembin. Ti jeton me to, të bëjnë më të fortë. Kur vendos të bëhesh muzikant, vendos të hapesh totalisht. Nuk e kuptova që duhej të ishte kështu deri para disa vitesh. Mendova se mjaftonte vetëm të notoja në sipërfaqe. Ndonjëherë mjafton, por diçka nuk shkonte. Nuk shkoja te njerëzit. Pyesja veten: ‘Pse askush nuk ma var? Ndoshta nuk vlej ose ndoshta nuk po jap diçka që vlen.’ Mendova se duhet t’u japësh njerëzve diçka të vërtetë. Kur ia heq vetes për t’ia dhënë dikujt tjetër, domosdoshmërisht dhemb. Është një pjesë e jotja. Kur e bëra, ndodhi një mrekulli. Fillova të gris copa nga vetja. Dhe njerëzit më donin, por gjithçka ka një kosto,” -është shprehur ai.
Ermal Meta nuk e ka fshehur asnjëherë se ka pasur një baba të dhunshëm, me të cilin i shkëputi të gjitha marrëdhëniet në vitin 1990. Artisti shpjegoi se për një kohë të gjatë ishte i bindur se nuk donte të bënte fëmijë, pikërisht sepse ishte i ndikuar nga marrëdhënia konfliktuale me babain e tij:
“Kam menduar për një kohë të gjatë që nuk doja të bëhesha baba. Nuk doja kurrë të rrezikoja që një fëmijë të mendojë për mua, atë që kam menduar gjithmonë për babain tim. Kisha shumë frikë nga kjo gjë. Por prej disa kohësh, diçka brenda meje ka ndryshuar. Ndoshta! Megjithatë, nuk e di. Do t’ju thoja që po, do ta bëja, por kur, nuk e di.”
Ermal Meta foli edhe për periudhën e vështirë të pandemisë dhe mënyrën sesi i ktheu vlerat normalitetit, që në të kaluarën shoqërohej me mediokritetin:
“Po pres të rifilloj të jetoj plotësisht, si të gjithë ne. Po flas për koncerte, takime me fansat, e kam fjalën për të bërë aktivitetin më të dashur për mua, koncertet. Por flas edhe për përditshmërinë, atë që nuk e kishim kuptuar dikur: normalitetin. Kur e humbëm, të gjithë e kuptuam se normaliteti është një gjë vërtet e çmuar. Fillimisht përdorëm termin normal për të përcaktuar një gjë mediokre. Në fakt, atëherë kuptuam që normaliteti është një gjë e shenjtë, sepse ju lejon të riorganizoni veten çdo ditë, për të zgjedhur atë që është e duhura për ju çdo ditë. Me shumë përpjekje dhe shpresë, ne presim vitin e ardhshëm dhe shpresojmë të pushtojmë këtë normalitet të shumëdëshiruar.”