Kitaristi kosovar që shkëlqeu në Ohër

22 Gusht, 2018 - 3:54 pm

Kitaristi virtuoz nga Kosova, Drilon Cocaj i ka dhuruar tinguj të bukur festivalit në Maqedoni “Ohrid Summer”, përcjell KutlPlus.

Drilon Cocaj perfomoi në këtë festival, në kishën e Shën Sofisë duke sjellë para të pranishmëve vepra nga epoka të ndryshme.

Cocaj u shpreh i lumtur që ka qenë pjesë e këtij festivalit.

“Kam sjellë një repertor me vepra të ndryshme e që ju përkasin epokave të ndryshme. Akustika në kishë ishte shumë e mirë, po e përmend këtë pasi që kjo ka shumë rëndësi kur luan me kitarë”, u shpreh ai.

Kjo ka qenë hera e parë që artisti ka marrë pjesë në këtë festival si artist pasi që këtë festival ai e kishte përcjellë disa herë.

“Është e rëndësishme që të ketë një ballkon në pjesën e sipërme të kishës pasi që nga aty unë kam dëgjuar yjet të cilat luanin në kuadër të këtij festival. Ishte më të vërtetë një nderë dhe kënaqësi që të performoj në këtë festival ku kanë performuar edhe emra të njohur si Maxim Vengerov, Ivo Pogorelic, Nikolay Luganski e të tjerë. Ky festival është i tillë që të gjithë duhet të krenohen më të jo vetëm Maqedonia por edhe regjioni”, u shpreh ai.

Drilon Cocaj ka luajtur në këtë koncert vepra të kompozitorëve si: Johan Sebastian Bach, Fernando Sor, Abel Carlevaro dhe Manuel Ponce.

Ai është fitues i garave “Ars Kosova” në Prishtinë si dhe numëron pjesëmarrje në koncerte të shumta në Shqipëri, Suedi, Mal të Zi, Gjermani si dhe në festivale të njohura në Kosovë por edhe jashtë vendin, si në festivalin “DAM”, “Re Music”, apo Festivalin e Chopin-it në Poloni./ KultPlus.com

Të ngjajshme