10 Nëntor, 2020 - 10:58 pm
Kitaristi nëntëvjeçar nga Prishtina, Ledion Halitaj, ka shënuar suksesin e radhës brenda dy muajve. Ai e ka fituar çmimin e parë në kategorinë për të vegjlit në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës “Tremolo”, që është mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nga 29 tetori e deri më 7 nëntor, në versionin online.
Ky çmim është ndarë edhe me tre pjesëmarrës të tjerë në këtë kategori, me ç’rast Halitaj është renditur i dyti me pikë. Ndërkohë, ai e ka sfiduar vetën edhe në Kategorinë e Parë, e cila i dedikohet grupmoshës deri në 11 vjet, dhe aty ka fituar çmimin e dytë.
Halitaj është përgatitur për këtë festival nga profesori i tij, Erhan Mujka, në Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit “Beethoven” në Prishtinë.
Në kategoritë pjesëmarrëse, ai ka luajtur dy vepra klasike dhe i është nënshtruar vlerësimit të një jurie në përbërje prej nëntë anëtarësh nga shtete të ndryshme.
Në fillim të muajit tetor, Halitaj ka fituar çmimin e parë të jurisë dhe çmimin e publikut në kategorinë “Junior”, në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani të Rumanisë. Në këtë festival kanë marrë pjesë më shumë se shtatëdhjetë kitaristë nga 13 shtete të Evropës./ KultPlus.com