23 Prill, 2019 - 1:52 pm
Fotografitë: Arben Llapashtica
Mbrëmë në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, u krijua një natë magjepse me kombinimin e dy instrumenteve, pianos dhe violinës, në të cilën luajtën mysafirët nga Shqipëria, pianisti Klevis Gjergji, si dhe me violinë Suela Piciri, shkruan KultPlus.
Në natën e njëmbëdhjete të festivalit “Chopin Piano Fest” u luajtën vepra të tri stileve të ndryshme duke përfshire këtu veprat e L. V. Beethoven, J. Brahms dhe vepra e Claude Debussy. E në fund të festivalit në shenjë falënderimi për duartrokitjet e publikut, Klevisi dhe Suela luajtën baladën e Pjetër Gacit, kompozitorit shqiptar.
E shumë e kënaqur dhe e nderuar për pjesëmarrjen në këtë festival u ndje edhe violinistja Suela Piciri, e cila tha që është shumë e lumtur që është pjesë e këtij festivali sepse në këtë festival ka parë edhe emra të solisteve të cilët sipas saj janë të një niveli të lartë. Ajo po ashtu tha që publiku kosovarë është shumë entuziast dhe se e ka ndier veten si në shtëpi.
“Së pari unë jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij festivali, sepse unë pash edhe emrat e solistëve që kanë bërë koncerte përpara meje dhe vërtetet janë të një niveli shumë të lartë. Unë kam qenë në Prishtinë në vitin 2004 vetëm për dy ditë, e shoh shumë të ndryshuar, shumë bukur por për të performuar si violinist nuk e kam pasur këtë mundësi dhe për mua është hera e parë. Publiku kosovar ishte shumë entuziast dhe nuk e prisja që të kishte kaq shumë publik, për shkak të festës. Këtu e kam ndjerë vetën si në shtëpi”, tha Suela për KultPlus.
E pianisti Klevis Gjergji, tha që shqiptarët e Shqipërisë do të ishin me fat po të kishin një festival të tillë në Shqipëri. Ai po ashtu shtoj që edhe publiku ishte shumë i ngrohtë dhe se ajo ngrohtësi për ta ka krijuar rehatinë e cila i mundëson që ata të japin më të mirën.
“Kam përshtypje shumë të mira, jam ndarë shumë i kënaqur nga kjo performancë, kjo falë audiencës e cila është shumë e ngrohtë dhe na pret shumë mirë, prandaj të krijohet e gjithë rehatia që të japësh më të mirën tënde në këtë koncert. I përgëzoj shumë profesoreshën Lejla Pulën dhe profesoreshën Besa për angazhimet për gjithë këtë, sepse ky organizim nuk është aspak i lehtë, ne do të kishim qenë shumë me fat po ta kishim një festival të tillë në Shqipëri” u shprehë Klevisi për KultPlus.
“Chopin Piano Fest” po vazhdon aktivitetin e tij tutje, ndërsa sot po vazhdon të mbahet gara për Çmimin Special Chopin Piano Fest në Fakultetin e Arteve në UP./ Gzim Mujaj / KultPlus.com