3 Prill, 2018 - 1:07 pm
Gili Hoxhaj
Dam Festival i cili këtë vit po shënon edicionin e 13-të të rrugëtimit muzikor edhe mbrëmë kishte mbledhur një numër të madh artistësh të rinj për ta dëshmuar veten në një koncert, shkruan KultPlus.
Ky koncert që u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare kishte mbledhur përplot mysafir që po shijonin tingujt e kësaj gjenerate të re artistesh. Këtë rrugëtim muzikor e filloi Fjolla Asllanaj e cila solli tinguj në violonçel, përcjellë nga Lirika Pula në piano. Ato së bashku sollën tinguj të veprës “Sonatë për violonçel” të Claude Debussy. Pasi ato u larguan nga skena, aty u ngjit Fortesa Jusufi e cila me tingujt e pianos solli veprën e kompozuar nga Maurice Ravel. Pas disa interpretimeve të kolegëve të tjerë, Fortesa Jusufi u ngjit në skenë përsëri me violinistin, Rron Bakalli për të sjellë një vepër tjetër të kompozitorit Claude Debussy, ata në kombinimin e dy instrumenteve sollën përplot tinguj të magjishëm nga vepra “Vocalise”.
Pianistja e re Fortesa Jusufi tregoi për KultPlus se festivalin Dam e sheh si një mundësi shumë të mirë për ta dëshmuar veten.
“Ne nuk kemi aq shumë hapësirë për të interpretuar dhe Dam-i përveç neve përmban edhe artistë shumë të mëdhenj kështu që është një ndjenjë shumë e mirë që edhe ne kemi një vend në këtë festival që të vlerësohemi dhe dëgjohemi”, u shpreh Jusufi.
Granit Musliu ishte tenori i vetëm i kësaj mbrëmje, që dëshmoi se kishte potencial për të dhënë edhe shumë interpretime të tjera për publikun. Zëri tij u përcoll në piano nga pianistja, Erita Qafleshi. Nga këta dy të rinj, në skenë do të kthehej përsëri profesoresha Lirika Pula, kësaj herë për ta përcjellë çelistin e talentuar Arian Zherka, e që së bashku sollën veprën “Sonatë për violonçel- Koha 1” të Sergei Rachmaninoff.
“sFOURzando”, i përbërë nga Vlora Çitaku në violinë, Fisnik Hasani në klarinetë, Zanë Abazi në flaut dhe Denita Dedushaj në piano sollën një program të pasur veprash. Mbrëmja arriti kulmin e saj pikërisht me anë të tingujve të tyre që krijonin një harmoni të veprave që interpretonin. Me përjetim të rrallë nga publiku u pritën dy veprat e kompozitorit shqiptar Rexho Mulliqi, e që mbrëmë erdhën të aranzhuara nga kompozitori Hajrullah Syla. “Një lule” e filloi rrugëtimin e tyre muzikor që do të prekte veprat e Jacques Ibert, Camille Saint Sawns, Arthur Honegger, Dimitri Shostakovich, Franz Doppler e deri te Astor Piazzolla.
Ky koncert nuk mund të mbyllej më bukur se me veprën “Baresha”, që është dëgjuar e kompozuar për skena e vende të ndryshme. Kjo vepër e Rexho Mulliqit që mbrëmë erdhi e aranzhuar nga Hajrullah Syla e me interpretim të “sFOURzando” , rrëmbeu publikun deri në fund të saj, aty ku duart e të pranishmëve do të përplaseshin fort me njëra tjetrën, për t’i dhuruar duartrokitje këtij grupi të rinj talentesh e kompozitorit Syla që gjendej ulur në ulëset e publikut.
Kompozitori Syla tregoi për KultPlus se procesi i aranzhimit të këtyre veprave e në përgjithësi është shumë i vështirë dhe kërkon përkushtim të veçantë, ndërsa shtoi se ndihet i kënaqur më punën e artistëve të rinj që i interpretuan këto vepra për publikun.
“Procesi i aranzhimit në përgjithësi është punë mjaft e rendë sepse duhet përpunuar me një material ekzistues që patjetër duhet pasur kujdes të mos humbet origjinaliteti i vijës kryesore melodike. Dy përpunimet e mia mbrëmë u interpretuan nga një ansambël i sapoformuar në DAM Festival, nga muzicientë të cilët premtojnë shumë për skenën kosovare”, u shpreh kompozitori dhe dirigjenti Syla.
Ndërsa violonistja Vlora Çitaku, njëherësh dhe ideatore e ansamblit të ri “sFOURzando”, tha se është ndjerë shumë e emocionuar të interpretoi në skenën e Dam Festival. Ajo tha se nuk ka qenë edhe e lehtë përgatitja e këtyre veprave ku procesi i provave ka zgjatur për gati gjashtë muaj.
Dam Festival do të vazhdojë sonte natën e gjashtë të festivalit, në kuadër të së cilës në ora 18:30 do të prezantohen veprat e kompozitorit Artan Hasani dhe prezantimi premierë i ansamblit vokal Zanat ndërsa nga ora 20:00 Etydet për piano nga Philip Glass në interpretim të Gregory Charette. Te dy koncertet mbahen ne Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com