29 Maj, 2021 - 4:54 pm
Ndikimi i muzikës së Rilindjes Italiane, ka mbërritur shpejt në Shqipëri nëpërmjet priftërinjve dhe misionarëve arbëreshe.
Palokë Kurti, autori i këngës së njohur popullore qytetare shkodrane “Për mue paska kenë kismet”, ishte ndër të parët kompozitorë të Rilindjes tonë kombëtare. Krijimet e tij janë si tip ariesh të vogla operistike, të mirënjohura si jaret shkodrane.
Arsyeja që e lidhë Kurtin me Italinë, vendin e lindjes së operas ishte mësuesi i tij i parë i muzikës. Që në moshë të vogël Kurti u regjistrua në shkollën françeskane dhe At Tomë Marcozzi, një prift arbëresh, e mësoi rreth muzikës dhe të luajë instrumente muzikore.
Marcozzi, i përkushtuar në misionin e tij, jo vetëm që ka mësuar të vegjlit e kolegjit françeskan në Shkodër, por edhe ka siguruar që për mësimin e tyre, të vinin plot instrumente muzikore nga përtej detit. I frymëzuar nga mësuesi i tij dhe qyteti i lindjes, Palokë Kurti ka lënë shumë momunente të këngës popullore qytetare shkodrane, dhe rrugën e tij kanë ndjekur edhe të bijtë Lec e Zef Kurti./ KultPlus.com