Kompozitori Haig Zacharian: Muzika lidhet me botën që rrethon vetë artistin

27 Shkurt, 2025 - 11:00 am

Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, zhvilloi një lectio magistralis me titull “Rrëfim në dy kohë” me kompozitorin Haig Zacharian.

Veprimtarinë e çeli drejtori i QSA, akademik Stefan Çapaliku. Ai theksoi se Haig Zacharian-i është një kompozitor me karrierë të gjatë e të spikatur në muzikën shqiptare.

Pasi foli për disa nga kontributet e Zacharian-it në muzikën klasike, përfaqësuar me romanca vokale e muzikë dhome, dhe në muzikën e filmit, akad. Çapaliku e falënderoi kompozitorin për pranimin e ftesës në zhvillimin e kësaj veprimtarie si dhe premtoi se, për vitin 2025, QSA-ja do të vijojë serinë e lectio magistralis, me personalitete të artit dhe letërsisë.

Në fjalën e tij, dr. Edmir Ballgjati theksoi se tema e këtij bashkëbisedimi përbën një përsiatje retrospektive për rrugën krijuese të Haig Zacharian-it, ndërkohë që vetë kompozitori rrëfeu fillimet e jetës së tij artistike të cilat përkojnë me ngritjen e shkollave muzikore në vend.

Prof. Zacharian u shpreh se nga prof. Arapi kishte mësuar disa nga sekretet e profesionit, veçanërisht kombinimin e fjalës me tekstin muzikor. Ai tha se Tonin Arapi ka qenë figura muzikore që e ka ndjekur gjatë gjithë krijimtarisë.

Më tej u fol për karrierën në fushën e muzikës së filmit. Zacharian-i rrëfeu episode të bukura nga komunikimi me regjisorët e njohur: Rikard Ljarja, Kujtim Çashku e të tjerë gjatë përgatitjes së kompozimeve për filmat “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Dorina”, “Përtej mureve të gurta”, “Njeriu i mirë”, “Dora e ngrohtë”, “I paharruari”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time” etj.

Rrëfimi vijoi për punën që ka bërë me ansamblet amatore dhe kontributin që ka dhënë për kompozimin e muzikës për fëmijë. Kompozitori Zacharian rrëfeu se është përpjekur që krijimtaria e tij të tingëllojë sa më origjinale. Për këtë ai u është shmangur autorëve të huaj, sepse beson se muzika është e lidhur me jetën dhe botën që e rrethon vetë artistin. Ai ka qenë i lidhur me melosin e botës shqiptare, muzikën që vjen që nga gjeneza. /KultPlus.com

Të ngjajshme