29 Dhjetor, 2020 - 3:55 pm
Në një rrëfim ekskluziv për “Shqipëria live”, autori Zef Çopa tregon momentin kur kompozoi këngën dhe nga u frymëzua.
Kënga origjinale që ne sot e njohim me titullin “Xhamadani vija-vija” në fakt titullohej “Kam një lot m’pikon si ar”. Për herë të parë kompozitori tregon ka qenë një krijim i pamenduar gjatë, një frymëzim i çastit: “E kam kompozuar nga ora 4 e mëngjesit, në 18 nëntor në të gdhirë 19, në vitin 1992. Ishte një këngë që ma kërkoi Shkurte Fejza. Kënga duhej bërë për një kohë të shkurtër, kishim 5-ditë kohë”.
Çoba thotë se nuk ka marrë udhëzime nga Shkurtja, por është bazuar te jeta e saj, “Ishte ide e imja dhe e poetit nga realitetinga vinte Shkurte Fejza. Titulli erdhi natyrshëm sepse ishte viti 1992, kur Kosova po përjetonte periudhën më të vështirë. Kënga përcjell aspiratën kombëtare shumëshekullore te popullit të Kosovës, paraqitet ëndrra e tyre për t’u bashkuar me Shqipërinë”.
Por, autori shpreh shqetësimin për artistët që e këndojnë këngën pa marrë leje dhe duke e mohuar si kompozitor të këngës. “Jo vetëm që nuk paguhemi për të drejtën e autorit, siç ndodh në Europë, por edhe mohohemi, po jepen deklarata që kjo këngë është folklorike dhe nuk është e moralshme, është e padrejtë”.
Ai përmend rastin e fundit “Klan Kosova promovoi variantin e fundit të këngës ne 28 nëntor por ishte e turpshme që nuk u përmend emri, u tha që është këngë folklorike popullore. Unë i kam shkruar ‘Klan Kosovës’, sepse dua që të njihet mesazhi që kënga përmban, ta kuptojnë të gjithë”. / KultPlus.com