14 Gusht, 2018 - 10:29 am
Komuna e Prishtinës planifikon që ta mbështesë “Sunny Hill Festivalin” me 60 mijë euro. Vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka hedhur poshtë mundësinë që institucioni që ai udhëheq të japë 250 mijë euro për këtë festival, siç është përfolur e raportuar gjatë ditëve të mbajtjes së tij.
“Po çfarë 250 mijë euro”, ka qenë komenti i Ahmetit. Ai të hënën i ka thënë gazetës se Komuna ka nisur procedurat që të participojë në organizimin e festivalit duke paguar pjesërisht njërin nga artisët pjesëmarrës.
“Komuna e Prishtinës ka menduar t’i ndihmojë me pagesën e pjesshme për njërin nga artistët në shumë prej 60 mijë eurove dhe jemi në procedurë e sipër”, ka thënë ai. Ka thënë se nuk e di se nga ka dalë që Komuna do të paguajë 250 mijë për festivalin. Komuna ndihmë tjetër për “Sunny Hill…” llogarit edhe dhënien e lejes për shfrytëzimin e Parkut të Gërmisë. Deri më tani, sipas informacioneve që ka gazeta, asnjë institucion tjetër shtetëror nuk e ka përkrahur financiarisht “Sunny Hill Festivalin”, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com